Cukali: Duhet ligj për konfliktin e interesit, problem marrëdhënia e pronarëve të mediave me qeverinë

Në një intervistë për Ora News, kreu i Këshillit Shqiptar të Medias, Koloreto Cukali tha se nuk është habi që Shqipëri rezulton me rënie në raportet për lirinë e medies.

Sipas tij, qeveria ka vënë filtra të shumtë për informacionin, duke përmendur këtu edhe agjencinë e informimit të krijuar nga qeveria.

Cukali: Ne kemi qenë keq dhe fakti që bëhemi akoma më keq nuk është habi. Sigurisht që rënia është më e madhe sepse ka ndikuar shumë elementë një ndër ta shtrëngimi i rripit nga qeveria për të vënë filtra mbi informacionin. Sigurisht që merret parasysh krijimi i agjencisë së informimit. Vazhdon edhe pengimi i reporterëve për eventet live. Këto vetëm e rëndojnë situatën e lirisë së medies në vendin tonë.

Kemi thënë disa herë që një nga problematikat e medias është modeli i bizneset. Informacioni nuk mund të jetë falas. Ndërkohë që medie që kanë para që nuk dihet se nga vijnë dhe logjika të çon se këto media që rezultojnë me humbje, i çojnë diku tjetër këto para. Shqipëria ka nevojë emergjente për të krijuar një ligj që pengon konfliktin e interesit. Pra, ti nuk mund të kesh medie dhe një biznes partner me qeverinë sepse nuk do të transmetosh të vërtetat. Ka shumë pronarë mediesh që kanë biznese të tjera, të cilat janë të lidhur ame leje ndërtime apo koncesione. Ky është një konflikt interesi i drejtpërdrejtë.