Ndërtuan shtëpinë e barit në Kashar, Gjykata lë në burg vetëm një nga të arrestuarit
Gjykata e Tiranës ka lënë në qeli vetëm një prej personave të arrestuar pas zbulimit të një shtëpie bari në zonën e Kasharit në kryeqytet.
Në qeli është lënë vetëm i arrestuari Ylli Sulaj, i cili mori përsipër edhe aktivitetin e kultivimit të lëndës narkotike, duke pohuar se 3 personat e tjerë të arrestuar që ishin motra, nëna dhe kurshëriri i tij nuk kishin dijeni. Për të arrestuarit e tjerë gjykata vendosi masa më të lehta.
Prokuroria kërkoi masën arrest me burg për të katër të arrestuarit: Ylli Sulaj, Luan Sulaj, Shqipe Sulaj, dhe Xhevrie Sulaj, ndërsa për dy punonjësit e OSHEE-së Lufti Basha dhe Rifat Kuçi, detyrim paraqitje.
Por gjykata ka liruar Xhevrie Sulajn, duke caktuar ndaj saj masën ‘arrest shtëpie’, për vajzën e saj Shqipe Sulaj, ‘detyrim paraqitje’, ndërsa Lufti Basha dhe Rifat Kuçi dhe Luan Sulaj u liruan pa masë nga gjykata.
Dy punonjësit e OSHEE-së thanë në seancë se nuk kishin dijeni për lëndën e kultivuar, ndërsa kishin sinjalizuar menjëherë policinë sapo kanë konstatuar se banesa kishte më shumë 400 kw konsum energjie.
Mbrojtësit e të arrestuarve kanë pretenduar se Shqipja dhe Xhevria banojnë në atë banesë por s’kanë pasur dijeni për lëndën narkotike. Sipas tyre, Shqipja punon 16 orë në fasoneri. Banesa e kthyer në shtëpi bari u zbulua pak ditë më parë nga policia. Bashkë me të pandehurit u procedua penalisht shtetasi Z. V, kryeplaku i fshatit, për moskallëzim krimi.
Sipas prokurorisë këta persona kishin përshtatur katin e dytë dhe të tretë të një vile, për të kultivuar bimë narkotike kanabis sativa. Banesa rezulton në pronësi të Xhevrie Sulajt. Policia sekuestroi 253 bimë kanabis të kultivuara në vazo, ushqyes elektrikë, llamba elektrike, freskuese dhe 6 aparate celulare.


