Fiter Bajrami, festa që na bashkon/Ja ritet para festimit, në mbrëmje bëhet sadaka për njerëzit në nevojë

Sot të gjithë besimtarët myslimanë anë e mbanë botës festuan Fiter Bajramin. Një festë me një simbolikë të madhe.

Fiter Bajrami ka marrë pikërisht këtë emër pasi myslimanët para kësaj feste solidarizohen me të varfërit, me të pamundurin duke shpërndarë sadaka, ndihmë për ta.

Të gjithë afrohen më shumë se kurrë pranë Zotit, i cili e udhëzon robin e tij drejt dashurisë, paqes dhe harmonisë.  

Kjo festë kremtohet nga besimtarët myslimanë duke falur namazin e Bajramit, një namaz i cili bëhet në shenjë adhurimi për Zotin e gjithësisë.

Koha e këtij namazi fillon me lindjen e diellit ku të gjithë bashkohen së bashku në këtë kohë adhurimi.

Të ftuar në emisionin “Jeto me orën” në Rtv Ora, teologu Vladimir Kera, Xhevdet Spahiu dhe Migena Kurushi, folën më shumë rreth detajeve të kësaj dite të begatë.

Sipas pikëpamjes fetare secila festë e ka një qëllim, duke treguar dhe shtyrë besimtarët për të falenderuar krijuesin e tyre për të mirat që u ka dhuruar.

Hoxhë Vladimir Kera u shpreh se “feja islame me këtë festë kërkon ta nxjerrë njeriun si njeri të mirë i cili ndihmon të varfërit si dhe mbledh të gjithë besimtarët së bashku në këtë festë për të festuar”.

Vetë feja islame kërkon nga njeriu të festojë brenda natyrshmërisë së njerit, çka do me thënë që nuk kalon në shthurje.

Fiter Bajrami, festa që na bashkon/Ja ritet para festimit, në

Ndërsa Migena Kurushi u shpreh se “zakonisht fëmijëve të vegjël nuk ju kushtojmë shumë rëndësi, por në fakt pikërisht në këtë ditë feste ata duhet të jenë fokusi ynë kryesor”.

Vetë festa e Fitër Bajramit e nxjerr njeriun nga egoja e tij, duke i kushtuar rëndësi edhe të njerëzve të cilët kanë nevojë.

Në ditët e sotme ka humbur disi marrëdhënia farefisnore dhe pikërisht në këtë ditë të gjithë mblidhen sëbashku.

Për nder të kësaj feste besimtari Xhevdet Spahiu na tregoi se “filluam të shpërndajmë ndihma për të pamundurit një ditë para Bajramit dhe të gjithë familjarët ishin të entuziazmuar”.

Një tjetër gjë e rëndësishme për tu theksuar është se sipas hoxhës ata që agjëruan për herë të parë këtë vit, kanë treguar se pavarësisht sfidave që ka agjërimi ata ia dolën dhe treguan që u ndjenë shumë mirë.

30 ditët e agjërimit konsiderohen si një shkollë më vete për të treguar që kushdo mund ta bëjë.