Përplaset autobusi i dytë në Tiranë, shoferi i nënshtrohet testit të alkoolit

Një tjetër urban i linjave të transportit publik në Tiranë u përfshi në një tjetër aksident të pazakontë mesditën e të hënës.

Në bulevardin Zogu i Parë, në një aks pothuajse pa trafik për shkak të ditës së pushimit autobusi  linjës Qyteti Studenti-Jordan Misja humbi drejtimin.

Dëmet për fat të mirë kanë qenë vetëm materiale megjithatë xhami i parë i urbanit dhe streha prej qelqi e stacionit të pasagjerëve janë shkatërruar

Burimet bëjnë me dije se mjeti i transportit publik si pasojë e rrëshqitjes në rrugë dhe mos frenimit në kohë është përplasur me kabinën e stacionit ku qytetaret prisnin autobusin.

Policia bën me dije se nga aksidenti nuk ka persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Shoferi i autobusit ka rezultuar i rregullt nga testi i alkoolit ndërsa policia rrugore ka nisur hetimet për shkakun e ngjarjes.

Ndërkohë në lidhje me aksidentin e urbanit të unazës që ndodhi mbrëmjen e të premtes ku autobusi i linjës “Go Green” përfundoi në lanë policia ka proceduar penalisht shoferin e autobusit, Muhamet Kyçyku për për vepren penale të shkeljës së rregullave të qarkullimit rrugor.

Për këtë ngjarje, që shkaktoi plagosjen e pesë personave, prokuroria është në pritje të eksperimentit teknik që do ti bëhet autobusit për të saktësuar nëse mjeti ka pasur defekt teknik.

Dy aksidentet e autobusëve të linjave të kryeqytetit të ndodhura në rrethana të çuditshme brenda vetëm pak ditëve duket se kanë krijuar pasiguri tek qytetarët.