Etika e re e qeverisë Rama: Ministrave u ndalohen takimet me biznesmenë, bixhozi, baret dhe festat

Qeveria shqiptare ka miratuar në Këshillin e Ministrave atë që quhen si rregullat e etikës së ministrave dhe zyrtarëve të administratës, lidhur me sjelljen dhe dhuratat.

Kështu, ministrat sipas këtij Kodi Etike” nuk mund të takohen me biznesmenë të ndryshëm apo me grupimet e interesit pa praninë e dy nëpunësve të ministrisë përkatëse.

“Të zhvillojë takime me përfaqësues të biznesit apo grupeve të interesit pa praninë e dy nëpunësve/funksionarëve të lartë të ministrisë përkatëse dhe pa mbajtur minutat e takimeve, regjistrimin e identitetit të personave të përfshirë në këto takime, si dhe evidentimin e çështjeve të diskutuara në një regjistër të posaçëm që mbahet nga sekretari i përgjithshëm i ministrisë përkatëse” – thuhet në vendim.

Po ashtu, për të shmangur konfliktin e interesit ata janë të ndaluar që të pranojnë bileta të paguara nga persona dhe kompani private.

Ndalohet gjithashtu që të frekuentojnë bare e restorante gjatë ditëve të punës kur janë duke ushtruar detyrën e tyre, shto këtu edhe bixhozin.

Ministrat sipas dokumentit tashmë humbin edhe të drejtën për të udhëtuar me bussines class në Evropë dhe të përdorin sallën VIP të aeroportit apo makinën e punës për qëllime personale e familjare.

Ashtu sikurse ishte lajmëruar në fillim të mandatit të tretë, Rama u ka ndaluar ministrave edhe organizimin e festave për personelin apo pushimet jashtë vendit me fondet e buxhetit të shtetit.

Një pikë tjetër në ligj është edhe ajo e dhuratave, ku theksohet se të gjitha dhuratat që marrin ministrat do të përdoren si dekor për zyrën ose të dorëzohen në kryeministri dhe nuk mund të jenë pronë e tyre personale.

Në rast se këto rregulla të etikës nuk respektohen atëherë do të ketë penalizime, nga ato administrative deri në dorëheqje.