Mbyllet Kategoria e “çudirave”. Luzi për herë të parë në të Parën, shpëton Luftëtari
Luzi 2008 është kryefjala e fundjavës sportive në vend. Skuadra modeste nga qyteza në zemër të Shqipërisë ngjitet zyrtarisht në Kategorinë e Parë pas polemikave të shumta që janë shkaktuar gjatë ditëve të fundit për trukim ndshjesh në këtë kategori ku tre përballje, njëra prej të cilave përfundoi 15-1 në favor të Luzit janë nën hetim nga Etika.
Në ndeshjet e së shtunës, bashkë me Luzi 2008 edhe Flamurtari është emri zyrtar që ngjitet në të Parën pas një sezoni të vështirë në kategorinë gjysmë-amatore, ndërsa Luftëtari mbijeton duke evituar një tjetër katastrofë. Gjirokastritët thyen Tepelenën 2-1 dhe shtynë në kategorinë e fundit Këlcyrën dhe Përmetin.

Në grupin A, Ada dhe Klosi do të ndeshen të dielën për të caktuar edhe skuadrën e dytë që bie pasi biletën më parë e ka prerë Internacional. Tashmë Kategoria II do të luajë edhe fazën play-off me skuadrat e vendeve 2-5 në të dyja grupet ku më pas fitueset doi të sfidojnë në një tjetër play-off vendet 11 dhe 12 të së Parës.

