Kukësi zhbëhet në Durrës, kampionët i japin leksion Longos
Këtë herë Diego Longon nuk e shpëtojnë as rezultatet favorizuese nga transfertat e tjera. Kukësi rrëzohet në vendin e katërt pasi pëson “poker” golash nga Teuta ku ylli shkodran Rubin Hebaj i ndëshkoi tre herë verilindorët.
Ndeshje me dy fytyra u luajt në Durrës ku Teuta arriti të bënte diferencën në të dytën duke e mbyllur takimin e javës së 31-të me rezultatin 4-1. Fitore që vlen shumë për llogarinë e kampionëve, sot 5 pikë larg Egnatias që e ndjek nga vendi i tetë, ndërsa për ekipin verilindor kjo është e pesta ndeshje rresht pa fitore.
Krizë e thellë që u reflektua në një ndeshje ku Longo zbriti një skuadër të arnuar në fushën e lojës pa 5 lojtarë të rëndësishëm që formojnë edhe boshtin e ekipit ndërsa në krahun tjetër, Arapi karikoi grupin për të dytën fitore rresht. Golin e vetëm të verilindorëve e sigloi Musta në pjesën e parë ndërsa Teuta e plotësoi mbrëmjen me realizimin e Dacit.
