Mino Raiola nuk ia del mbanë, mbyll sytë përgjithmonë pas betejës së vështirë

Mino Riola ndërron jetë vetëm dy ditë pas lajmit të vdekjes së tij që më pas rezultoi i rremë. Gjithsesi, agonia e agjentit të njohur të lojtarëve ka zgjatur diçka më shumë se 48 orë pasi gjendja e tij u rëndua shumë duke u larguar nga jeta pak pas mesditës së të shtunës. Lajmin e bën të ditur familja e 54-vjeçarit që ishte shtruar në spitalin “San Rafaelle” të Milanos për shkak të disa komplikimeve pas ndërhyrjes së kryer në muajin janar.

“Me dhimbje të madhe njoftojmë vdekjen e Minos, agjentit më të jashtëzakonshëm të historisë së futbollit. Mino luftoi deri në fund të jetës me të gjitha forcat ashtu siç vepronte edhe në rastet kur duhej të mbronte lojtarët. Edhe një herë ai na bëri krenarë pa e kuptuar”, shkruan familja në profilin e Raiolas në Twitter.

Raiola e nisi karrierën në rrethin e rëndësishëm të agjentëve sportivë si përfaqësues i interesave të Bergkamp dhe Jonk por me kalimin e viteve e zgjeroi shumë listën duke vendosur fatin e karrierës së peshave të rënda të futbollit botëror si Nedved, Ibrahimovic, Pogba, Balotelli, Lukaku, De Ligt, Haland, Verratti apo Donnarouma. Ishte pikërisht Ibrahimovic që e vizitoi ditën e premte në spital duke thënë se agjenti i tij nuk po dorëzohej dhe po luftonte fort me vdekjen.