Skandali me banesat sociale. Pas padisë në SPAK, Petrit Vasili publikon dokumentet e abuzimit të Veliajt

Një ditë pasi njoftoi padinë e tij në SPAK ndaj kryebashkiakut të Tiranës, nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili publikon dokumentet që sipas tij vërtetojnë skandalin me banesat sociale në Tiranë.

Vasili shprehet se çështja e banesave sociale, që është një problem nga më kritikët për mijëra familje të kryeqytetit, është thjesht një mundësi abuzimi për Bashkinë e Tiranës.

Në këtë kontekst, Vasili shprehet në dokumentet në fjalë. Konfirmohet zyrtarisht nga vetë Bashkia, që siperfaqja që kishte dhënë leje për ndërtim mbi 2000 metra katror është plot 1 milion e 945 mijë m2, nga të cilat bashkisë i takojnë të marrë në detyrim të ligjit plot 58 mijë e 275 m2 sipërfaqe ndërtimi për banesa sociale.

Ndërkohë konfirmohet zyrtarisht se sipërfaqja që do të përfitohet nga bashkia do të jetë 32 mijë 417 m2, pra ku mungojnë rreth 26 mijë metra katrorë sipërfaqe e ndërtuar për banesa për qytetarët në nevojë, që sipas Vasilit, kjo sipërfaqe është e barabartë me 324 apartamente nga 80 m2 siperfaqe.

Nënkryetari i LSI-së pretendon se dokumentet e nxjerra nga ai vërtetojnë se me propozimin e Kryetarit të Bashkisë Erjon Veliaj, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendos që të lejojë edhe likujdimin me lekë në vend të dorëzimit të sipërfaqes së ndërtimit, një shkelje kjo flagrante e ligjit, i cili nuk e lejon aspak këtë, por detyron dorëzimin nga ndërtuesit vetëm të sipërfaqes së ndërtuar të banimit.

Ligji, thotë Vasili, pengonte në këtë mënyrë çdo manovër me çmimet e ndërtimeve, duke mbështetur zgjidhjen konkrete me banesë për qytetarët në nevojë. Ndaj thotë ai, vendimi i propozuar nga Veliaj dhe miratuar nga Këshilli Bashkiak është një akt skandaloz duke dhunuar Ligjin e Kuvendit dhe duke vendosur Bashkinë mbi Parlamentin. Në përfundim të reagimit të tij, Petrit Vasili thekson se drejtësia e ka tepër të thjeshtë të vendosë, pasi denoncimi me fakte e prova ndodhet tashmë në SPAK.