Komisioni i Rithemelimit merr drejtimin ekzekutiv të PD deri në zgjedhjen e kryetarit. Kuvendi miraton ndryshimet në statut

Kuvendi Kombëtar miraton ndryshimet statutore të PD ndërsa Enkelejd Alibeaj nuk njihet më si kryetar grupi, kësisoj shpallet vakanca për kreun e grupit parlamentar të PD.

Menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij Statuti dhe deri në përfundim të zgjedhjes së Kryesisë së PDSH, drejtimi ekzekutiv i partisë bëhet nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit.

Mandati i Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit, përfundon në momentin që zgjidhet Kryesia e PDSH.

Vendimet e miratuara ne Kuvend që hyjnë në fuqi menjëherë


1.      Miratimin në parim të ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike sipas aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.

2.      Miratimin nen për nen të ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike sipas aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.

3.      Miratimin në tërësi të ndryshimeve në Statutin e Partisë Demokratike sipas aneksit bashkëlidhur këtij vendimi.

Me 22 maj zgjedhjet

1.      Përcaktimin e datës 22 Maj 2022 si dita kur do të zhvillohen zgjedhjet për kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

2.      Procesi zgjedhor do të zhvillohet njëkohësisht në të gjitha degët e Partisë Demokratike.

3.      Ngarkohen Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit dhe Komisioni i organizimit dhe kontrollit të operacioneve elektorale për organizimin, mbikëqyrjen dhe certifikimin e këtij procesi zgjedhor.

Shkarkohet Alibeaj

1.      Konstatimin e vakancës së pozicionit të kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, për shkak të mungesës së nënkryetarëve të zgjedhur të Partisë.

2.      Ngarkohet Këshilli Kombëtar i partisë për zgjedhjen dhe caktimin, së bashku me  nënkryetarët, edhe të kryetarit të grupit parlamentar të PDSH.

Dokumenta bashkëngjitur