Berisha mesazh Vuçiç: Përpjekja për destibalizimin e Kosovës do të sjellë reagimin e shqiptarëve si komb i vetëm
Sali Berisha në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së është shprehur se Tirana në këto 8 vite është shndërruar në vasal të Beogradit.
Ai tha se Edi Rama është njeriu që po i bën tualet presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Ndër të tjera Berisha tha se nuk do e shndërrojmë Shqipërinë në epiqendrën e luftës së ftohtë ndaj Kosovës, ndërsa shtoi se përpjekja e Serbisë për destabilizimin e Kosovës do sjellë reagimin e shqiptarëve si komb i vetëm.
Sali Berisha: Dhamë kontribut pavarësinë e Kosovës, lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në Preshvë e Maqedoni. Në këto 8 vite Tirana është shndërruar në vasal të Beogradit. Rama është sot njeriut që i bën tualet më shumë se kushdo tjetër Aleksandër Vuçiç.
A e dini se kryeministrat e shteteve në tryeza, hapin sytë kur e dëgjojnë me aq pasion të flasë për presidentin serb, njeriu që nuk njeh gjenocidin në Kosovë, njeriu që punon haptas për Serbinë e madhe. Ne jemi për bashkëpunim rajonal, por nuk mund të shndërrojmë Shqipërinë në epiqendrën e luftës së ftohtë ndaj Kosovës. S’do e pranojmë kurrë “Ballkanin e Hapur” që është në shërbim të Serbisë së Madhe, një aleancë e cila është fund e krye në shërbim të influencës ruse në rajon. Vuçi ka rikthyer Serbinë në politikën e tij të mëparshme. Ne jemi në këmbë për t’i thënë serbomadhi, se çdo përpjekje për destabilizimin e Kosovës do të përballet me reagimin e kombit shqiptar si komb i vetëm.
