Aksidenti i frikshëm, autobusi zë poshtë makinën në lumin e Lanës, 6 në spital (Pamje)
Një aksident i frikshëm u shënua mbrëmjen e sotme pranë ish kinema "Agimit" në Tiranë.
Autobusi i unazës "Go Green" ka përfunduar në Lanë, pasi është përplasur me një makinë. Nga pamjet duket se autobusi ka zënë poshtë një makinë me targa "AA170ZH", e cila ndodhet brenda në Lanë.
Dy djem që ishin në makinë kanë arritur të nxirren. Gjithashtu janë dërguar në spital dhe shoferi i autobusit, fatorinoja dhe 1 pasagjere si dhe pasagjeri i makinës.
Aksidenti ka shkaktuar edhe trafik.
Ora 21:50 Ky është një nga dy të rinjtë që ndodheshin në makinën që përfundoi në Lanë, u shpëtuan nga "çunat e lagjes"
Ky i ri është një nga dy të plagosurit e automjetit që përfundoi mbrëmjen e sotme në Lanë sëbashku me autobusin e linjës së Unazës pasi u përplasën mes tyre.
Policia tha se të plagosur mbetën shtetasi Jurgen Rama 27 vjeç, drejtuesi i mjetit dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, pasagjeri i mjetit.
Ora 21:47 Pesë persona paraqiten ne spital
Policia e shtetit informon se 5 persona janë paraqitur në spital, mes tyre dy drejtuesit e mjeteve, njëri shoferi i autobusit dhe tjetri shoferi i makinës.
Tiranë/Informacion shtesë: Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).
Ora 21:35 Aksidenti në Lanë, Manastirliu viziton te spitali i Traumës 5 të plagosurit
Ora 21:32 Aksidenti në Lanë defekt teknik apo gabim njerëzor?
Shefi i policisë rrugore, Taulant Gjoka, ka dhënë detaje nga aksidenti në Lanë, ku një autobus i linjës së Unazës zuri poshtë një makinë.
Dy automjet janë përplasur fillimisht dhe më pas kanë përfunduar në lumë.
Sipas tij, nga aksidenti janë plagosur 5 persona.
Ora 21:25 Aksidenti në Lanë përfundon në spital dhe shoferi i autobusit dhe 3 pasagjerë
Ora 20:50 Ministrja Manastirliu në vendngjarje
Ora 20: 40 Njoftimi i policise
Informacion paraprak: Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana.
Si pasojë e aksidentit janë dëmtuar dhe janë paraqitur në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën dy pasagjerët e automjetit që u përplas me autobusin.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Ora 20:40 - Aksidenti i frikshëm, autobusi zë poshtë makinën në lumin e Lanës(Pamje)
Ora News, ka siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes ku autobusi, pasi është përplasur me një makinë ka përfunduar në lumin Lanë.
Siç shihet në video, autobusi ka zënë poshtë makinën.
Për momentin nuk raportohet për të lënduar apo viktima nga aksidenti.




