Tiranë/ U përplas me një mjet, autobusi i "Unazës" përfundon në lumin Lanë, 5 të plagosur
Një nga urbanët e rinj të kryeqytetit të linjës së Unazës u aksidentua mbrëmjen e së premtes, 29 prill 2022, rreth orës 20:10, në zonën e pallateve "Agimi" duke përfunduar në Lanë.
Mjeti i transportit publik i linjës "Green", i prezantuar me bujë nga bashkia pak javë më parë, pasi humbi drejtimin, doli jashtë rrugës duke përfunduar në pjesën e lumit në pozicionin e urës.
Drejtuesi i urbanit Muhamet Kyçyku mbeti i plagosur së bashku me faturinon, 61 vjeçari me iniciale A.K dhe një pasagjere të autobusit në moshën 61 vjeçe, me iniciale F.C. Të lënduar nga ngjarja mbetën edhe drejtuesi i mjetit që u përplas me urbanin, 27 vjeçari me iniciale J.R dhe pasagjeri që ndodhej bashkë me të.
Permes një informacioni shtesë policia e Tiranes informoi: Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, se në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një mjet dhe si pasojë ka rënë në Lumin Lana, bëjmë me dije se janë paraqitur për kontroll mjekësor dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, shtetasit M. K., 62 vjeç, (drejtuesi i autobusit), A. K., 61 vjeç, (faturino), pasagjerja e autobusit, shtetasja F. Ç., 64 vjeçe, shtetasi J. R., 27 vjeç (drejtuesi i mjetit) dhe shtetasi A. H., 27 vjeç, (pasagjeri i mjetit).
Autobusi ka zënë poshtë makinën me targa "AA170ZH", e cila ndodhet brenda në Lanë. Forcave të shpëtimit u janë dashur disa minuta për nxjerren e dy personave.
Shefi i policisë rrugore, Taulant Gjoka, tha se dy janë pistat e hetimit.
"Po shqyrtojmë të gjitha pistat e hetimit për të zbuluar shkaqet e aksidentit nëse jemi përballë një defekti elektrik apo teknik apo gabimi njerëzor që mund të ketë ndodhur me njërin nga drejtuesit e mjeteve të përfshirë në aksidentin rrugor".
Ngjarja e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e shumë qytetarëve që u ndodhën në zonë, në kohën kur ndodhi ngjarja, ndërsa zyrtarët vizituan në spital personat e plagosur.


