Aksidenti me dy të plagosur në lumin Lanë, ministrja Manastirliu shkon në vendngjarje

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka shkuar në vendin e ngjarjes, ku autobus i linjës së “Unazës” ka përfunduar në Lanë, pasi u përplas me një makinë.

Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur dy persona. Mësohet se të lënduarit ndodheshin në makinën me të cilën u përplas autobusi. Nga njoftimet zyrtare, ata po trajtohen në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Ngjarja ndodhi rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi. 

“Më datë 29.04.2022, rreth orës 20:10, në afërsi të Kinema Agimi, një autobus është përplasur me një automjet, dhe si pasojë drejtuesi i autobusit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij, dhe ka rënë në Lumin Lana.”- njofton policia.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.