Agresioni rus, zyrtarja e lartë amerikane: Serbia të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet

Ndihmës Sekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried, zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë në kuadër të turit të saj në Ballkanin Perëndimor.

Ajo pati sot takime me kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, si dhe me deputetë të opozitës. Thellimi i partneritetit mes dy vendeve ishte në qendër të vizitës.

Para largimit nga Tirana, zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, foli me Zërin e Amerikës mbi marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, pushtimin e pajustifikuar të Ukrainës nga Rusia dhe ndikimin në Ballkan të agresionit rus në Ukrainë.

Zëri i Amerikës: Zonja Donfried, bota demokratike sfidohet sot nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës. Cilat mendoni se janë pasojat për Ballkanin, duke pasur parasysh ndikimin rus në disa vende të rajonit tonë?

Nd/Sekretarja Donfried: Fillimisht më lejoni të them se sa e trishtueshme është të shohësh ukrainasit të vriten çdo ditë.

Rusia më 24 shkurt ndërmori një agresion frontal të paprovokuar dhe të pajustifikuar kundër Ukrainës dhe gjatë dy muajve të fundit kemi parë brutalitetin i atij agresioni, qoftë tek bombardimi i pandërprerë i Mariupolit, apo krimet që kemi parë në Buça.

Ka kaq shumë raste të tmerrshme që mund të përmend. Çdo ditë është një ditë tragjike për Ukrainën.

Dhe Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një pozicion shumë të fortë në atë konflikt. Pozicioni ynë forcohet edhe më shumë për faktin se aleatë si Shqipëria po qëndrojnë me vendosmëri krah nesh. Shqipëria ka rol kyç në të treja shtyllat e strategjisë sonë: Ajo po ndihmon Ukrainën: po i imponon kosto Rusisë, po kontribuon në NATO, duke u siguruar që krahu ynë lindor dhe juglindor të mbrohet siç duhet; dhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ku Shqipëria është një bashkëpenëmbajtëse me ne për Ukrainën. Mund të vazhdoja edhe më tej.

Por kjo është një betejë jo vetëm për Ukrainën. Bëhet fjalë sigurisht për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Por bëhet fjalë gjithashtu për ambjentin e sigurisë evropiane dhe në thelb ka të bëjë me parimet tek të cilat ne besojmë, sipas së cilave çdo shtet ka të drejtën të marrë vendimet e veta sovrane për politikën e vet të jashtme dhe të sigurisë, shumë nga parimet themelore të sigurisë evropiane me të cilat në fakt, Rusia ka rënë dakord në OSBE dhe organizma të tjera. Kështu që rëndësia e këtij momenti është e jashtzakonshme.

Dhe përsëris që Presidenti Biden, Sekretari Blinken besojnë thellësisht se pozita jonë në përballimin e këtij momenti është e fortë falë aleatëve si Shqipëria.

Zëri i Amerikës: A jeni e shqetësuar me qëndrimin e Serbisë për të mos iu bashkuar sanksioneve të BE-së kundër Rusisë?

Nd/Sekretarja Donfried: Më lejoni të filloj duke thënë se Serbia qëndroi në anën e duhur të historisë në fillim të marsit në votimin e parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, kur njëqind e dyzet e një vende, përfshirë Serbinë, votuan për të dënuar sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërkuan që Rusia të tërhiqet. Në OKB ishin pesë vende që votuan kundër kësaj rezolute. Edhe në një rezolutë të dytë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, një rezolutë humanitare, Serbia votoi krah Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara. Dhe më pas u bë votimi për të pezulluar Rusinë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Dhe përsëri, Serbia votoi me ne. Mendoj se është e rëndësishme ta pranojmë se këto ishin vendime të vështira dhe të vlerësojmë vendimin që mori Serbia.

Përsa u takon sanksioneve, siç e përmenda, Shtetet e Bashkuara besojnë se ështe e rëndësishme t'i imponohen kosto Vladimir Putinit. Veprimet që po ndërmerr ai, janë të pajustifikuara, të paprovokuara dhe brutale dhe lidhur me këtë, ne i bëjmë thirrje Serbisë që të përputhë qëndrimin e saj me BE-në dhe sanksionet që ajo ka vendosur. Dhe do të theksoja këtu se ajo që po bëjnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në frontin e sanksioneve, koordinimi në këtë drejtim, është një shembull për t’u shënuar i bashkëpunimit tonë.

Dua të theksoj gjithashtu se paketa e reagimit përfshin sanksione dhe kontrolle për eksportin dhe mendoj se këto kontrolle për eksportet janë gjithashtu të rëndësishme. Dua të theksoj se ky koalicion që qëndron me forcë kundër veprimeve brutale të Rusisë përfshin jo vetëm aleatët dhe partnerët tanë evropianë, por edhe aleatët dhe partnerët tanë në Azi. Dhe mendoj se fakti që një pjesë e madhe e botës po i del kundër, ka një rëndësi të madhe.

Zëri i Amerikës: Dhe një pyetje: A mendoni se blerjet e armëve që Serbia ka bërë nga Rusia e së fundmi dhe nga Kina, përbëjnë një rrezik për sigurinë dhe stabilitetin në Ballkan?

Karen Donfried: Më duhet të them që kishte një dallim opinionesh midis disa evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara për planet e Rusisë në prag të 24 shkurtit dhe mendoj se meqenëse disa nga aleatët dhe partnerët tanë evropianë nuk besonin se Rusia do ta ndërmerrte atë sulm, në shumë mënyra 24 shkurti ishte për pjesën më të madhe të Evropës i barazvlefshëm me atë që ishte 11 shtatori për Shtetet e Bashkuara dhe na ka treguar të gjithëve një anë të Rusisë që ne shpresonim të mos ekzistonte.

Kur një vend merr vendime për blerjet e armëve dhe sigurisht kur mendon në këndvështrim të gjerë për marrëdhëniet me atë vend, është shumë e vështirë të imagjinosh ndonjë vend që të ketë një marrëdhënie të pandryshuar me Rusinë pas 24 shkurtit. Unë do t'i referohesha përsëri vendimeve që mori Serbia në OKB.

Kina, besoj se ka marrë një vendim strategjik për të qenë aleate me Rusinë.

Dhe, e përsëris, mendoj se çdo vendim që një vend merr në lidhje me blerjet e armëve është i informuar nga ai këndvështrim i gjerë mbi mënyrën se si duhet të jetë në vazhdim një marrëdhënie me Rusinë apo me Kinën. Po mjaftohem me kaq.