"Lux 2022" Makinat e vjedhura në BE përfundojnë në parkingun e policisë
Makinat luksoze vidheshin në BE dhe pasi i nënshtroheshin ndërhyrjeve dhe modifikimeve në numrat e shasisë apo paketat elektronike u tregtoheshin persona të ndryshëm.
Policia ka zbuluar linjën duke marrë në hetim 3 persona banues në Tiranë ndërsa ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tyre nga Maqedonia e Veriut.
Në kuadër të operacionit “Lux2022” u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale "Trafikimi i mjeteve motorike", shtetasit B. S., E. N. dhe E. K., të tre banues në Tiranë.
Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi Z. D., banues në Maqedoninë e Veriut.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 4 automjete të trafikuara, të dyshuara të vjedhura në vendet e BE-së. “Nga veprimet hetimore ka rezultuar se këto automjete u janë nënshtruar ndërhyrjeve dhe modifikimeve në numrat e shasisë apo paketat elektronike dhe më pas janë tregtuar te persona të ndryshëm“ informon policia Tiranës.
Vijon puna për dokumentin e rasteve të tjera të trafikimit të mjeteve, që mund të jetë kryer nga këta shtetas.
