Kanabis me ujë Valbone, "shtëpi bari" në Tropojë, shpallet në kërkim 43-vjeçari
Të ashtuquajturat shtëpi bari po ngrihen edhe në zonat malore e turistike. Më e fundit është zbuluar në Tropojë, ku një 43-vjeçar kishte ngritur një laborator për rritjen e kanabisit në Valbonë.
Ky objekt buzë Valbonës në Tropojë ishte kthyer në "shtëpi bari."
Banesa në pronësi të Shpëtim Selimajt, 43 vjeç ishte përshtatur për rritjen e bimëve narkotike.
Aty ishin vendosur 34 llamba dhe pajisje të ndryshme elektrike nën të cilat kultivohej kryesisht kanabis sativa.
Policia thotë se kishte marrë informacion për veprimtarinë kriminale ndaj ushtroi kontrolle në objekt.
Nën llampat ngrohëse u gjeten fidanë kanabisi në fazë rritje dhe 500 gramë të tjera në proces tharje të cilat u sekuestruan dhe asgjësuan.
Shtëpia e barit në Valbonë rezultoi se furnizohej nga një lidhje e paligjshme energjie fakt që do ti kushtojë hetim në gjendje të lirë elektricistit të zonës.
Shpëtim Selimaj, pronari i laboratorit të kanabisit i shpëtoi arrestimit dhe është shpallur në kërkim për tre akuza që lidhen me kultivimin e bimëve narkotike dhe vjedhjen e energjisë.
Operacionet e policisë së Shtetit kanë vërtetuar se kultivimi i bimëve narkotike përmes ngrohjes me llampa në ambiente të mbyllura është përhapur gjerësisht në vend.
Shtëpitë ose laboratorët e barit siç njihen ndryshe duket se janë kthyer në mënyrën kryesore të kultivimit, krahas serave dhe parcelave në zonat e thella malore.
Në Shqipëri gjatë vitit 2021 policia ka zbuluar 26 shtëpi bari ndërsa në 4 muajt e parë të këtij viti mbi 15 të tilla.






