Ndryshimet në Malin e Zi, Rama: Do riftohet për t'iu bashkuar Ballkanit të Hapur, Dritani ka qenë pozitiv ndaj nismës

Maqedonia e Veriut do të mirëpresë Samitin e ardhshëm të Ballkanit të Hapur në datat 9 dhe 6 qershor.

Kryeministri Rama duke folur për ndryshimet politike në Mal të Zi tha se do të riftohet për t'ju bashkuar nismës.

Duke kujtuar se Abazoviç ka qenë pozitiv në parim ndaj Ballkanit të Hapur, Rama tha se do ta inkurajojë të jetë në tryezë.

Por sido që të ndodhë, Rama tha se Ballkani i Hapur do vazhdojë pasi të gjithë do ti bashkohen një ditë.

Pyetje: Me ndryshimet politike dhe ndryshimet e qeverisë në Malin e Zi, japin shpresa që edhe ky vend t’i bashkohet nismës suaj të “Ballkanit të Hapur”? A keni marrë ju sinjale pozitive nga kryeministri i ri i Malit të Zi?

Rama: Sa i përket “Ballkanit të Hapur”, ne jemi absolutisht të vendosur të vazhdojmë pa lëkundje dhe sigurisht , paralelisht me vazhdimin e rrugës së nisur, ne jemi shumë të interesuar që edhe të tjerët të përfshihen sepse “Ballkani i Hapur” është krijuar për të qenë gjithëpërfshirës, nuk  është krijuar për të qenë përjashtues.

Duke folur për kryeministrin e ri të Malit të Zi, me të cilin ende nuk kam komunikuar dhe shpresoj ta bëj sot, imagjinoni sikur dikush t’iu thoshte, nuk e di, nuk po them 30 apo 20 vjet por 5 vjet përpara që Ballkani Perëndimor me 6 vende do të kishte 3 kryeministra shqiptarë, do thonit....Sot është realitet. 3 shqiptarë në 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Tani, kjo mund të jetë shenjë e mirë, mund të jetë shenjë e keqe, unë nuk e di, por fakti është që janë 3 shqiptarë kryeministra të Ballkanit Perëndimor, përtej shakasë, dhe nuk është pak, është shumë.

Ashtu sikundër, është shumë e qartë që shqiptarët, në këtë kohë që kanë rilidhur urat me Europën, ecim përpara dhe fitojnë vetëm nëse dinë të sillen si njerëz të paqes. Kjo është pak, por e sigurt. Patjetër që ne do ta riftojmë Malin e Zi. Sigurisht i takon kryeministrit të Maqedonisë së Veriut për ta bërë ftesën zyrtare sepse Samiti i ardhshëm i Ballkanit të Hapur do jetë në Ohër, në 9 dhe 10 qershor, në mos gabohem, por patjetër që edhe nga ana ime do bëj, si të thuash, inkurajimin tim për Dritanin që të jetë në tryezë.

Dritani ka qenë pozitiv ndaj Ballkanit të Hapur në parim dhe po ashtu, ne me shumë kënaqësi  do ta prisnim Malin e Zi në tryezë. Por, vjen Mali i Zi apo nuk vjen Mali i Zi, vjen Kosova apo nuk vjen Kosova, vjen Bosnja apo nuk vjen Bosnja, Ballkani i Hapur do vazhdojë sepse, përveç të tjerave, ky është dhe vullneti i shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Të gjithë do vijnë një ditë. Kush do vijë më vonë, do ketë humbur më shumë por secili ka të drejtë të vendosë për veten e vet. Ne nuk vendosim për të tjerët, ne vendosim për Shqipërinë.