Varhelyi kundër ndarjes: Çështja është si të kemi Shqipërinë dhe Maqedoninë si anëtare të BE

Komisioneri i Bashkimit Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë e Mirë, Oliver Varhelyi, deklaroi sot në Tiranë se Komisioni Europian po bën të gjitha përpjekjet për marrjen e një date për negociatat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE në qershor.

Plan B, nuk ka tha ai, duke konfirmuar kështu se nuk është simpatizant i ndarjes së dy vendeve në këtë proces.

Nëse të gjitha palët e përfshira e marrin seriozisht këtë proces, Varhelyi u shpreh besimplotë se do të kemi një marrëveshje.

Pyetje: Nëse edhe në qershor do dështojë çelja e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, çfarë i mbetet tjetër Komisionit që të propozojë kur gjithçka është përmbushur dhe kur Këshilli vazhdon dhe e refuzon?

Varhelyi: Unë e kuptoj që kjo është vërtetë një çështje e nxehtë, të themi, pra, të vazhdojë të rrijë Shqipëria me Maqedoninë e Veriut apo të ndahet. Siç ju thashë, nuk mendoj se kjo është çështja, problemi i vërtetë.

Çështja e vërtetë që ne duhet të shikojmë është anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, se si do kemi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut si anëtarë të Bashkimit Europian. Për këtë po punojmë.

Ne nuk po punojmë për atë çështjen më imediate fare. Po, çështja tani e menjëhershme është të kemi marrëveshje për të dyja shtetet, për këtë po punojmë dhe po punohet fort. Nuk mendoj që unë do jem i besueshëm po t’iu them tani “Po sikur të dështoj, çfarë do bëj unë pastaj”? Në rast se do flisja me ju për këtë gjë, atëherë i bie që unë nuk po përpiqem aq sa duhet në punën time.

Unë po përpiqem, po përpiqem fort, siç duhet dhe kjo kërkon durim, durim strategjik siç e tha kryeministri, por kjo është natyra e kësaj pune, bëhet fjalë për zgjedhje shumë të rëndësishme, jo vetëm sa i përket Shqipërisë apo Maqedonisë së Veriut, por edhe zgjedhja që po bëjnë shtetet tona anëtare.

Mbaj mend herën e parë kur ka ardhur në Tiranë, ne po punonim fort që të kishim marrëveshje si për Shqipërinë apo dhe për Maqedoninë e Veriut, pra, që të arrinim vendimin zyrtar për çeljen e negociatave për të dyja shtetet.

Atëherë, ju më bombarduat me pyetje, më thatë “Po nuk është e besueshme, ndarja”, nuk ka qenë vetëm këtu, por edhe në Shkup e njëjta gjë dhe të njëjtat përgjigje jap. E gjithë ajo punë që ne po bëjmë nuk ka të bëjë vetëm me këtë gjë, por ideja është se si do arrihet anëtarësimi.

Këtu duhet të jenë sytë tanë dhe këtu duhet të fokusohen të gjithë, këtu duhet të jemi të përqendruar. Pra, puna që ne po bëjmë për të arritur marrëveshje në qershor për të dyja vendet. Kjo është puna që po bëhet dhe nuk ka plan B. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo situatë.

Në rast se ne e marrim veten seriozisht, e kam fjalën si Bashkimi Europian nga njëra anë dhe po ashtu Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, atëherë do ta kemi këtë vendim. Jam besimplotë që të gjithë kanë të njëjtin mentalitet dhe këndvështrim kur flasim për këtë çështje.