Vidhte bizhuteri në banesa e më pas i shiste, pranga 39-vjeçarit në Tiranë, nën hetim pronarja e argjendarisë

Një 39-vjeçar që vidhte bizhuteri dhe sende me vlerë në banesa është arrestuar nga policia e Tiranës.

Nën hetim është vënë  pronarja e një argjendarie e cila përvetësonte dhe shiste bizhuteritë e vjedhura.

Pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, blutë organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Gold".

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit G. D., 39 vjeç, banues në Laknas, për veprën penale "Vjedhja", i dënuar më parë po për këtë vepër penale.

"Shtetasi G. D. është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Dollari”, duke shitur bizhuteri të cilat i kishte vjedhur në banesën e shtetasit S. R", bën me dije policia.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se ky shtetas kryente vjedhje në banesa, në zonën e Kombinatit, Paskuqanit dhe në zona të ndryshme të Tiranës dhe më pas sendet e vjedhura i shiste në vendin e quajtur “Dollari” dhe në një argjendari në Kamzë.

Në vijim të veprimeve u procedua penalisht pronarja e argjendarisë në Kamzë, shtetasja N. Z., 58 vjeçe, banuese në Kamzë, për veprën penale "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale".

Gjatë kontrollit, shtetasit G. D. iu gjetën 11 ora të dyshuara të vjedhura, ndërsa shtetases N. Z. iu gjetën 5 unaza dhe 2 varëse floriri, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me orët.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.