Ukrainë: Mbi 2000 persona janë strehuar në uzinën e çelikut Azvostal, mes tyre gra dhe fëmijë

Situata në Lindje të Ukrainës paraqitet e rënduar. Qyteti i Mariupolit, i rrethuar që më 1 mars, është në gjendje kritike. Shefi i OKB-së Guterres ka dakordësuar në parim një korridor humanitar me Putini për civilët e strehuar në uzinën e çelikut Azovstal.

Uzina e çelikut Azvostal është kthyer në kalanë e fundit të rezistencës ukrainase në Mariupol.

Në atë uzinë janë strehuar mbi 2000 luftëtarë të Regjimentit Azov dhe mbi një mijë civilë, përfshirë gra, fëmijë dhe pleq. Sipas organizatave ndërkombëtare situata e tyre paraqitet mjaft e rëndë, po ashtu siç paraqitet edhe situata e mbi 100 mijë qytetarëve të Mariupolit.

Shefi i OKB-së ka dakordësuar në parim një korridor humanitar për evakuimin e civilëve nga uzina Azovstal. Guterres ndodhej në Moskë diskutoi për luftën në Ukrainë dhe mundësinë e një marrëveshjeje paqeje mes palëve.

Teksa të hënën pati një prishje të dakordësisë mes Ukrainës dhe Rusisë për të ndërtuar një korridor humanitar në Mariupol, ka qenë e menjëhershme ndërhyrja e presidentit turk Erdogan për të negociuar këtë korridor si edhe negociatat e Guterresit me Lavrovin dhe Putinin.

Mariupoli ka rëndësi strategjike për Rusinë dhe interesat e saj në Lindje të Ukrainës. Prej ditësh, situata e luftëtarëve ukrainas në uzinën e çelikut Azovstal cilësohet si kritike. Natën e 25 dhe 26 prillit, thuhet se ka pasur 35 bombardime kundër uzinës. Shumë civilë janë varrosur nën rrënoja.