Balla: Berisha s`ka pasur asnjëherë marrëdhënie të mira me SHBA
Për herë të parë një zyrtar i lartë i Partisë Socialiste ka komentuar një peticion online kundër ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim. Taulant Balla nga Fieri e quajti peticionin një metodë komuniste, që nuk duhet të ketë vend në demokraci. Ai gjithashtu hodhi edhe akuza mbi ish-kryeministrin Sali Berisha.
Partia socialiste ka komentuar për herë të parë peticionin e nisur online kundër Ambasadores së SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist Taulant Balla theksoi se këto janë metoda komuniste ku populli ftohej për të sulmuar rrezikun anglo-amerikan.
"Këto janë sjellje të trashëguara nga regjimi komunist, ku shtoheshin masat që të bënin sulme kundër personave të caktuar dhe natyrshëm edhe kundër pushtuesit ose kundër rrezikut anglo-amerikan" tha Balla.
PS ka deklaruar se nuk do të ketë bisedime për asnjë çështje me Sali Berishën, madje Balla nuk i kurseu as akuzat.
"Më thoni me cilin prej ambasadorëve amerikanë në Shqipëri Sali Berisha ka pasur në këto 30 vjet marrëdhënie të mira", tha Balla.
Kreu i grupit të PS i bëri thirrje edhe SPAK-ut që të informojë publikun në lidhje me disa çështje ku është përmendur emri i ish-kryeministrit Berisha.
"Dosjen ÇEZ, por mos harrojmë se Kuvendi i Shqipërisë ka kallëzuar penalisht Sali Berishën që Prokuroria Speciale antikorrupsion duhet të informojë publikun nëse realisht, zyrtarisht", tha ai.
Zyrtari socialist i bëri komentet nga Fieri, ndërsa po inspektonte punimet në një shkollë.
