"Me dhe pa shtëpi", ndërtimi i Unazës së Madhe, banorët pa informacion protestojnë para ministrisë së Infrastrukturës

Paqartësia për projektin e Unazës së Madhe në Tiranë vazhdon të sjellë shqetësime dhe panik për banorët e tre zonave. Para ministrisë së Infrastrukturës ata kanë kërkuar sqarime nëse do tu shemben banesat dhe nëse do të marrin kompensim.

Deklarimi i ministres Belinda Balluku se për "Unazën e Madhe" janë miratuar familje që do të shpronësohen kanë risjellë protestën dhe shqetësimin e banorëve. Një pjesë e tyre kanë mbërritur pranë institucionit me shpresën se do të marrin informacionin e duhur.

"Kemi marrë një farë informacioni që ka dalë shpronësimi për banesat që janë me letra të zonës së Laprakës. Ministrja mund të na takojë sepse paguhet me taksat tona."

Së bashku me banorët e  zonës së Laprakës ishin dhe ata të Paskuqanit, ku theksuan se po ndryshohet gjurma e rrugës duke shembur më shumë objekte.

"Mundësia për te ne, te Loti 4 që është Shkozë-Kodra e Prifti është për ta ndryshuar sepse është toka bosh. Nga projekti i parë preken vetëm 7 shtëpi, kurse nga projekti i 2021 preken 20 shtëpi dhe 20 dalin jashtë funksionit."

Edhe familjet e Kodrës së Priftit kanë të njëjtin shqetësim.

"Një projekt përmes lagje, ku projekti ka qenë ekzistues përreth lumit dhe nuk dihet se çfarë do bëjnë dhe më vonë."

Sipas ndryshimeve ligjore kompensimin e plotë e marrin familjet që kanë certifikatë hipotekore, ndërsa të tjerë përfitojnë vetëm koston e ndërtimit ose qira për banesa sociale.