"Të na rrojë i gjati", a hanë shqiptarët më pak me rritjen e çmimeve? Vox Pop: I bëjmë petullat me ujë
Tani me rritjen e çmimeve, a po hani njëlloj apo e keni ulur dozën e ushqimeve? Kjo ishte tema e rubrikës së sotme në Vox Pop me Enkin në RTV Ora. Të gjithë qytetarët mendojnë se çmimet janë rritur në mënyrë të papërballueshme dhe kjo ka bërë që të reduktojnë sasinë e ushqimeve që konsumojnë.
"Besoj se e kanë ulur. Mishin nuk e blemë dot përditë. Nëse do hanim një herë në ditë, do hamë në dy ditë, s'ka ndonjë problem. Mirë nuk është, por do përshtatemi sipas situatës. Shpresojmë mos rriten më, se deri këtu e përballojmë."
"Pale ku do shkojnë se kaq do bëjmë si do bëjmë. Ne jemi popull që mësohemi me çdo gjë, u mësuam edhe me këtë."
"Është mirë të jetosh jashtë ku çmimet janë normale dhe rrogat e larta."
"Çmimet vazhdojnë dhe rriten e nuk e dimë ku do shkojnë. Kemi ngelur pa bukën e gojës dhe pse buka është turp të përmendet."
"Shqiptarët nuk kishin për të ngrënë kur ishin çmimet e ulëta jo më tani që janë rritur. Mishin ta harrojmë. Të hanë pushtetarët mish se populli i ngrënë është."
"Unë jetoj në Itali dhe këtu janë rritur çmimet po në Shqipëri dini vetëm të qaheni, nuk dini asgjë tjetër të bëni."
"Të na rrojë i gjati, ai ha ne të tjerët e dëgjojmë."
"Inshalla nuk na rritjen më keq se ku ka ku shkon. Kam konsumuar 1 kg mish në ditë e tani vetëm t'i dëgjosh erën."
"Normale se janë rritur shumë dhe rrogat janë shumë të ulëta. Pothuajse të gjitha janë rritur shumë, marrim nga pak."
"Është shumë keq me këto çmimet sa nuk e dimë ku do shkojmë deri në fund."
"Këtu në Shqipëri është jeta e fundit, kushton më shumë thesi i miellit se sa rroga që kemi."
"Është bërë shumë keq me rritjen e çmimeve, nuk e dimë ku do shkojmë e nuk e dimë çfarë do bëjmë. Nuk po i blejmë dot fëmijëve një çokollatë më shumë."
"Kemi filluar t'i bëjmë petullat me ujë, se kemi frikë t'i bëjmë me vaj."
