Ju bë shoshë hoteli me plumba dy vite më parë, i riu në Pogradec plagoset nga djali i autorit të sulmit

Një 22-vjeçar ka mbetur i plagosur me armë zjarri ditën e sotme në Pogradec. Burime për Ora Neës, bëjnë me dije se personi që ka mbetur plagosur është Joan Muçllari, djali i pronarit të hotel “Volorekës” Jetmir Muçllari.

Mësohet se i riu ka është plagosur në këmbë, ndërkohë që ka shkuar vetë në spital.

Ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që ka deklaruar se është plagosur nga dy persona.

Burime për Ora News, bëjnë me dije se plagosja ka ndodhur në afërsi të hotel ‘Kalaja’, ndërsa i plagosuri ka shkuar vetë në spital. Ai ka deklaruar se dy persona kanë qenë autorët e plagosjes. 

"Më datë 25.04.2022, rreth orës 16:00, në Spitalin e Pogradecit është paraqitur për mjekim, jashtë rrezikut për jetën, i dëmtuar në këmbë shtetasi J. M., i cili dyshohet të jetë plagosur në lagjen "Voloreka", me armë zjarri tip pistoletë, gjatë një konflikti të çastit, nga dy shtetas të tjerë." - njofton policia. 

Menjëherë në vendngjarje, kanë shkuar shërbimet e policisë dhe nga veprimet e para u bë e mundur identifikimi i dy autorëve të dyshuar konkretisht shtetasit Firdeus Berberi dhe Greisi Maxhari.

Burime për Ora News, bëjnë me dije se këto të fundit janë larguar nga vendi i ngjarjes me makinë  “Golf 5”, ngjyrë blu.

Joan Muçllari është djali i pronarit të hotelit "Voloreka" në Tushemisht që sulmua me armë kallashnikov në 8 gusht 2020. Hetimet paraprake bëjnë me dije se ngjarja e së hënës ka lidhje pikërisht me këtë sulm ndaj hotelit që është në pronesi të Jetmir Muçllarit, babai i Joanit. 

Edhe në 2020 djali i pronarit të hotel “Voloreka" u dyshua si shënjestër e atij atentati.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, njëri nga autorët e sulmit të së hënës është një nga personat e përfshirë edhe në atentatin e vitit 2020. 

Ora News siguroi atë kohë pamjet ekskluzive nga kamerat e sigurisë të sulmit që një grup personash ndërmorën me 1 gusht por që e finalizuan 7 ditë më pas me 8 gusht 2020.

Persona të armatosur dhe me maska qëlluan mbi 100 herë, me breshëri automatiku drejt hotelit duke rrezikuar jetën e familjes së pronarit të hotelit por dhe të turistëve që ndodheshin aty për pushime.

Makinat e parkuara aty u bënë shoshë nga plumbat ndërsa shenjat mbetën edhe në tre nga 5 katet e godinës. 

Atëherë u arrestua Ilir Berberi, banues në Pogradec, i cili dyshohet se kishte rolin e organizatorit te sulmit, ku në bashkëpunim me tre persona të tjerë, kishin kanosur po me armë zjarri Johan Muçllarin, të birin e pronarit.

Bashkëpunëtorët e tjerë të arrestuar janë Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, dhe Elvir Haxhiaj. I dyshuar si pjesë e sulmit u arrestuan edhe Mariglen Topuzi.