Eshtrat në Fushë Kuqe, i merret ADN-ja nënës së Mariglen Gjonaj. Ekspertiza: Viktima u keqtrajtua me mjete të forta para vrasjes

Ekspertët e mjekësisë ligjore kanë arritur në përfundimin se eshtrat e gjetura në Fushë Kuqe në fillim të prillit i përkasin një personi që është keqtrajtuar para vrasjes. Specialistët shprehen se kanë vënë re dëmtime të shkaktuara te viktima me sende të forta, ndërkohë që ende nuk është identifikuar personi të cilit u përkasin eshtrat që u zbuluan rastësisht nga rënia e zjarrit në zonë.

Ekspertët mjeko-ligjorë kanë dalë në përfundimin se një pjesë e eshtrave të gjetura në zonën e Fushë-Kuqes, ende të pa identifikuara, rezultojnë të jetë të dëmtuara me mjete të forta.

Specialistët nuk janë në gjendje të përcaktojnë se cilët janë mjetet e përdorura për goditjen e viktimës, por kjo ka lindur dyshime se personi para se të vritej është dhunuar me sende të forta.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Me shpresën e identifikimit të personit që i përkasin eshtrat e gjetura brenda shkurreve në zonën e Fushë-Kuqes, prokuroria e Kurbinit, vendosi të marë një kampion ADN-je nga një grua në Laç.

Ajo është nëna e 16-vjeçarit të zhdukur prej 7 vitesh, Mariglen Gjonaj, e cila mësohet se ka udhëtuar nga Italia në drejtim të Tiranës, ku dhe i është marë një profil ADN-je.

Analiza ende nuk ka një përgjigje konkrete nga ekspertët biologë, por burime nga prokuroria besojnë shumë se ballafaqimi i ADN-së mund të sjellë në identifikimin e të riut të zhdukur.

Edhe nëse do ishte një përgjigje pozitive ku do konfirmoheshin profile të njëjta, Prokurorisë do ti duhet shumë punë për të zbardhur autorët e krimit të rëndë.

Zhdukja e adoleshentit 16-vjeçar, Mariglen Gjonaj, është hetuar fillimisht nga prokuroria e Laçit dhe më pas çështja ka kaluar në prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë.

Kjo e fundit kreu veprime për akuzën e rrëmbimit të personit, por pas shpërbërjes së Krimeve të Rënda, dosja i kaloi për hetime të mëtejshme sërisht në Kurbin.

Hetimet u pezulluan derisa pak kohë më parë në zonën e Fushë-Kuqes, është gjendur një skelet njeriu, që ende dhe sot nuk dihet se kujt i përket.

Tashmë është prokuroria e Laçit ajo që do hedhë dritë mbi këtë situatë, pasi prej 7 vitesh nuk dihet asgjë rreth fatit të 16-vjeçarit.

Adoleshenti u zhduk në rrethana të mistershme teksa ishte në një eskursion me shokët e tij, të klasës.

Ditën e zhdukjes ai kishte me vete një orë Rolex dhe një varëse floriri.