As bashkia nuk pi ujë nga rubineti, harxhon miliona lekë për të blerë ujë për punonjësit e saj
Pavarësisht deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj se uji që vjen nga çezma është i konsumueshëm, bashkia e Tiranës ka hapur një tender për blerjen e ujit të pijshëm, duke lënë të kuptohet se as vetë ai nuk beson në ato që thotë. Ndërkohë qytetarët thonë se ujin e çezmave e përdorin vetëm për larje, ndërsa për të pirë e blejnë, ose shkojnë e mbushin në Dajt.
"Me tu kthyer në shtëpi do të pi ujë nga çezma", deklaroi Rama në Kuvend.
Pastaj nga shtëpia u shpreh: "Ky është uji i Tiranës, sa i mirë. Pini ujë Tiranë dhe ti Jorida (Tabaku) si tironse duhet të pish ujë tirane."
Por teksa kryeministri Edi Rama deklaron se uji që vjen nga çezmat është i pijshëm, qytetarët e Tiranës mendojnë se kjo bëhet për show.
"Nuk është i pijshëm, le ta pijë Rama. E piu njëherë sa me bo reklamë. Unë e përdor vetëm për të larë."
Madje nëse uji që vjen nga çezmat do të konsumohej bashkia Tiranë nuk do të kishte arsye për të hapur tender me vlerë dy millionë e dyqind e dyzetë e nëntë mijë e nëntëqind e njëzet e pesë lekë pa TVSH me objekt "blerje ujë i pijshëm për punonjësit e bashkisë Tiranë për vitin 2022".
Madje një tender i njëjtë është shpallur edhe në vitin 2019, duke lënë të kuptosh se as vetë Bashkia Tiranë, kryetari i së cilës deklaron se uji pihet, nuk e konsumon atë.
Qytetarët shprehen se ujin që rrjedh nga çezmat e tyre nuk e konsumojnë dhe se detyrohen që ta mbushin në Dajt ose ta blejnë.
"Na vjen autoboti, e blejmë. Me ujin e çezmës lajmë enët, lahemi vetë."
"Ujin e çezmës nuk e pi se nuk është i mirë."
"Nuk e pi se s'bën."
"Jo nuk e pi."
"Se përdorim fare, janë tubat e ndryshkur, vjen me ngjyrë. Unë jetoj në Kinostudio."
Shpesh kreu i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka folur për planin për ujë të pijshëm 24 orë, ku tha se do të hiqen depozitat e ndonëse duhet të furnizoheshin me ujë pa ndërprerje një gjë e tillë nuk ndodh pasi uji në shtëpi shkon me orare.
Furnizimi me ujë 24 orë në 7 ditët e javës duket një ëndërr e largët, pavarësisht premtimit të bashkisë Tiranë dhe Qeverisë.
Deri në realizimin e premtimeve se do të kemi ujë të pijshëm 24 orë, qytetarët e Tiranës do të duhet të presin akoma.

