Ndoka: Rama po bën teatër, emrin e presidentit të ri e ka përcaktuar dy vite më parë

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, u shpreh se Edi Rama, po bën teatër, përsa i përket rrugës që po ndjek për zgjedhjen e presidentit të ri, duke qenë se Ilir Metës, i mbaron mandati më 24 korrik.

Në një intervistë për Ora News, Ndoka tha se Rama e ka përcaktuar emrin e presidentit dy vite më parë, kohë kur bënte përpjekje që të shkarkonte.

Nard Ndoka: Rama po bën më shumë teatër, sesa përpiqet të ketë një dialog ose konsensus me opozitën.  Procedurat që po ndjek Kryeministri me ato zarfat e famshëm, më tepër e ka damkos procesin edhe në aspektin politik dhe ligjor.

Rama e ka përcaktuar emrin e presidentit të Republikës dy vite më para, që në kohën që ai tentonte të shkarkonte Metën. Ai do të  përpiqet që të ketë një njeri që do të ketë nën komandën e tij. Ai e ka emrin, jo në kokë, por të shkruar përfundimisht dhe për procesin.

Ai tha se Rama ka zgjedhur rrugën e shkurtër për të zgjedhjen e presidentit, ndërkohë ka shtuar se ai po tallet me deputetët e tij, e madje e me  një pjesë të opozitës.

Nard Ndoka: Po të ndiqte një rrugë tjetër, pa diskutim që do të hapej një dialog me opozitën, duke diskutuar për emra, duke parë ngjarjet që po zhvillohen. Por ai ka zgjedhë rrugën e tij, po tallet me ato deputetët e tij, po tallet në njëfarë mënyre edhe me opozitën,  me një pjesë që i ka akoma nën urdhrat e tij.

I pyetur se a ka opozita emra për presidentin Ndoka u shpreh: Opozita ka shumë emra për presidentin e ri. Këtu nuk bëhet fjalë për emra, por për procesin. Kjo ishte shumë e rëndësishme. Duhet të vendoseshin së bashku disa kritere. Presidenti duhet të ishte një personazh që vjen nga politika apo jo. Presidenti nuk duhet të jetë një emër që nuk ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën politike të vendit. E gjykoj si domosdoshmëri që presidenti të vij nga klasa politike. Nëse  gjykohet se ka ardhur momenti që do kemi një president që nuk vjen nga politika atëherë të vendosim kriteret, e më pas është e lehtë të gjesh emrat.

Intervistoi Arnold Kariqi, përgatiti Anila Kolgjini.