Plagosën me armë zjarri djalin e biznesmenit në Pogradec, dy autorët u larguan me “Golf 5” ngjyrë blu
Detaje të reja kanë dalë nga plagosja e 22-vjeçarit Joan Muçllari, pasditen e sotme në Pogradec.
Burime bëjnë me dije se autorë, Firdeus Berberi dhe Greisi Maxhari, të cilët e qëlluan me armë zjarri në këmbë, janë larguar nga vendi i ngjarjes me një makinë “Golf 5” ngjyrë blu.
Plagosja ndodhi në afërsi të hotel ‘Kalaja’, ndërsa i riu ka shkuar vetë në spital.
Joan Muçllari është djali i pronarit të hotelit "Voloreka" në Tushemisht që sulmua me armë kallashnikov në 8 gusht 2020. Hetimet paraprake bëjnë me dije se ngjarja e së hënës ka lidhje pikërisht me këtë sulm ndaj hotelit që është në pronësi të Jetmir Muçllarit, babai i Joanit.
Edhe në 2020 djali i pronarit të hotel “Voloreka" u dyshua si shënjestër e atij atentati.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, njëri nga autorët e sulmit të së hënës është një nga personat e përfshirë edhe në atentatin e vitit 2020.
Ora News siguroi atë kohë pamjet ekskluzive nga kamerat e sigurisë të sulmit që një grup personash ndërmorën me 1 gusht por që e finalizuan 7 ditë më pas me 8 gusht 2020.
Persona të armatosur dhe me maska qëlluan mbi 100 herë, me breshëri automatiku drejt hotelit duke rrezikuar jetën e familjes së pronarit të hotelit por dhe të turistëve që ndodheshin aty për pushime.
Makinat e parkuara aty u bënë shoshë nga plumbat ndërsa shenjat mbetën edhe në tre nga 5 katet e godinës.
Atëherë u arrestua Ilir Berberi, banues në Pogradec, i cili dyshohet se kishte rolin e organizatorit te sulmit, ku në bashkëpunim me tre persona të tjerë, kishin kanosur po me armë zjarri Johan Muçllarin, të birin e pronarit.
Bashkëpunëtorët e tjerë të arrestuar janë Ilir Meçolli, Ardian Xhuti, dhe Elvir Haxhiaj. I dyshuar si pjesë e sulmit u arrestuan edhe Mariglen Topuzi.
