“Arushka”, “Qorri” dhe Juxhin Kulla drejtonin tregtinë e kokainës, baza një shtëpi tek shkolla e muzikës

Një shtëpi shumë pranë shkollës së muzikës në qytetin e Korçës, ishte baza kryesore e shitjes së kokainës.

Përgjatë 5 muajsh hetime, të zhvilluara nga policia dhe prokuroria, rezulton se shtëpia private, përbënte pikën kryesore në të cilën përdoruesit, furnizoheshin në mënyrë të vazhdueshme me doza të vogla.

Në dosjen e akuzës rezulton se banesa përdorej nga Erikens Frashëri ose siç thirrej ndryshe me nofkën “Qorri”.

Një nga banorët e saj, Erikens Frashëri, ishte vënë në monitorim nga policia, nga ku u zbulua më pas baza.

Nga vëzhgimi, policia ka kuptuar se Erikens Frashëri, shpërndante kokainën dhe në disa fshatra të Korçës.

Ai nuk ishte personi i vetëm që menaxhonte këtë veprimtari kriminale, pasi kokainën e manaxhonte dhe Juxhin Kulla.

Ky person është një emër i njohur për policinë lokale, pasi banesa e tij në shtator 2019 është goditur me armë dhe ende kjo ngjarje vijon të jetë pa autor.

Dominancë në qytet, me tregtinë e kokainës dhe drogërave të tjera, sipas prokurorisë kishte dhe Romeo alias Ilir Starovecka me pseudonimin “Arushka”.

Ky person tregtonte kokainë, hashash dhe heroinë, dhe në banesën e tij në Korçë u gjend dhe sasia e parave dhe një pjesë e drogës.

Si të përfshirë në këtë biznes të paligjshëm, policia ka arrestuar dhe disa persona që ishin pjesë e administratës shtetërore dhe spitaleve në Korçë.

Policia ka proceduar mbi 100 persona, nga të cilët ka arrestuar 24 për kultivim dhe shitje lënde narkotike.

7 të tjerë janë shpallur në kërkim. Mësohet se gjatë aksionit “Knock Down”, policia thotë se ka sekuestruar 420 gramë kokainë, 340 gramë kanabis, 21.6 gramë heroinë dhe metadon.

Gjithashtu janë sekuestruar dhe 15 milion lekë, 20 mijë euro, 110 dollarë, 280 paund, 50 telefona celularë, 20 automjete, 5 peshore elektronike, 1 radio marrëse policie, 1 përforcues grushti, si dhe dokumente identifikimi të shtetasve të ndryshëm.