Punësimi, të shkarkuarit me pa të drejtë u rikthyen në detyrë, shkelje me të rinjtë
Pas më shumë se 8 vitesh kritika qeveria ka vendosur të ndryshojë strategjinë sa i përket çështjeve gjyqësore të humbura me punonjësit e shkarkuar. Sipas Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, vitin e shkuar janë rikthyer në detyrë më shumë persona të larguar padrejtësisht nga detyra.
Sipas raportit të dorëzuar në parlament në dhjetor rezultonin vetëm 64 nëpunës civilë të cilët kanë fituar gjyqin dhe janë në listën e pritjes, ndërkohë që janë rikthyer në detyrë 231 zyrtarë.
Ndërkaq në vëmendje sillen dhe gjyqet që janë ende të pashlyer, por çuditërisht nuk jepen të dhëna se sa është shuma në para që qeveria shqiptare do të duhet të përballojë.
Janë 412 persona të larguar ose liruar nga detyra nëpunës civilë. Prej tyre Janë zgjidhur me vendim të formës së prerë 346 raste nga të cilat është rrëzuar kërkesëpadia në 51 dhe është anuluar ose shfuqizuar akti i largimit ose lirimit në 295 raste.
Sa i takon emërimeve në administratë shihet se jo në të gjitha rastet institucionet kanë vepruar më përputhje me ligjin. Nga 1965 pozicione që ka verifikuar Komisioneri, janë konstatuar 138 emërime të parregullta.
Lidhur me to titullarëve u është kërkuar të nisin procedurat për ndërprerjen e marrëdhënieve të punë dhe shpalljen e vendeve të lira.
