Era e fortë dëmton serat në Lushnje dhe Fier, miliona lekë dëme

Erërat e forta dhe moti i keq kanë shkaktuar dëme të më dha në bujqësi. Në Lushnje dhe Fier dhe dhjetëra hektarë sera të shalqirit dhe luleshtrydhes janë dëmtuar, ndërsa fermerët flasin për miliona lekë dëme.

Erërat e fuqishme që kanë përfshirë të gjithë vendin kanë lënë pasoja të konsiderueshme në sektorin e bujqësisë.

Këto pamje vijnë nga Lushnja.

Erërat e forta kanë dëmtuar dhjetëra hektarë sipërfaqe të mbjellë me shalqi.

Fermerët thonë se  dëmet janë të mëdha.

“Është bërë shumë dëm i madh. Era ka filluar që dje. Bima po na thahet nuk dimë çfarë të bëjmë”

Ata shprehen se nuk kanë asnjë ndihmë nga autoritetet për dëme të tilla.

“Plasmasi bën 500 mijë lekë, shteti s’na ndihmon fare, çfarë të bëjmë."

Dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në Fier

“Këtu ndodhemi në serat e fermerit Ajet Lanaj në zonën e Frakullës. Për shkak të erës së fortë të një dite më parë dëmet e shkaktuara në serat e tij me luleshtrydhe janë të shumta. Sipas fermerit për një dylim sipërfaqe të mbjellë me luleshtrydhe, dëmi shkon në 3 milion lekë të vjetra.”

“S’kemi as ndihma as asgjë. Vijnë këtu, këndojnë dhe ikin.”

Fermerët e luleshtrydhes edhe aty flasin për miliona lekë të shkuara dëm.

“Shumë sera. Njerëzit janë shumë të dëmtuar nga çmimet, nga natyra, nga të gjitha."

Vendi ynë prej ditësh është përfshirë në një mot të paqëndrueshëm ndërsa erërat e forta kanë shkaktuar dhe probleme në portet e vendit.