Drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike, arrestohet 21-vjeçari në Tiranë

Një 21-vjeçar në Tiranë është arrestuar pasi është kapur duke drejtuar automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.

Policia bën me dije se gjatë kontrolleve policore, në rrugën "Xhanfize Keko", është ndaluar drejtuesi i një automjeti, shtetasi S. D., 21 vjeç, të cilit, shërbimet e Policisë Rrugore i kanë bërë testin e drogës, me aparatin AquilaScan.

Pas testit, rezultoi se 21-vjeçari drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.   

“Gjithashtu, këtij shtetasi iu pezullua leja e drejtimit për 12 muaj, iu zbritën 10 pikë nga leja e drejtimit dhe iu vendos masa administrative 15.000 lekë të rinj, për shkeljen e nenit 185 të parashikuar nga Kodi Rrugor, “Drejtimi i mjetit nën efektin e lëndëve droguese”, matur me aparatin drogëtestues të markës “AquilaScan”.- njofton policia.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i tij, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.

4 ditë më parë, Policia Rrugore e Tiranës, vuri në pranga një 25-vjeçar i cili rezultoi se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike.