I riu justifikon grabitjen e filialit të postës në Kamëz: E bëra për djalin e vogël

30-vjeçari Elis Suçi, i cili pak ditë më parë grabiti filialin e një poste në kryeqytet ka dalë para gjykatës së Tiranës, por jo për këtë ngjarje, por për grabitjen e një supermarketi, që kishte kryer disa muaj më parë dhe nuk ishte arrestuar.  Masa i është marrë në mungesë, ndërsa Suçi e ka pranuar autorësinë e vjedhjes me argumentin se ishte babai i një fëmije të vogël dhe gjendja ekonomike e detyronte të grabiste.

Ndërkohë, në vazhdim pritet që Gjykata e Tiranës t'i komunikoj edhe masën e sigurisë sa i përket të shtënave me armë gjatë tentativës së policisë për ta arrestuar në datën 3 mars të këtij viti pranë gjimnazit "Ibrahim Rugova".

Ndërkohë, të martën gjykata do të caktoj për të masën e sigurisë përsa i përket grabitjes së 1 milion lekëve të reja në pikën e Postës Shqiptare në Kamëz, në datën 18 prill. Elis Suçi njihej si personazh problematik jo vetëm në zonën e Kamzës ku ai banon.

Ai ka qenë në burg për vjedhje, ndërsa ishte liruar rreth 8 muaj më parë. Suçi po hetohet për disa ngjarje të rënda kriminale dhe dyshohet si vrasës me pagesë.

Burime bëjnë me dije se ai dyshohet të jetë pjesë e një grupi kriminal, me bazë veprimi në kryeqytet, dhe pritet që të merret në pyetje dhe me këtë akuzë.