Rama: Meta, Presidenti më skandaloz që ka njohur historia

PS ka mbledhur Grupin Parlamentar ditën e sotme për të nisur procedurën e identifikimit të kandidaturës për Presidentin apo Presidenten e Republikës.

Deputetët do të depozitojnë në një sekretari të posaçme zarfin dhe më pas propozimet do vlerësohen nga Balla, Spiropali dhe Gjiknuri.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se për herët të parë PS ka mundësinë që ta zgjedhë e vetme Presidentin apo Presidenten e Republikës.

Rama: Kjo do të thotë se për herë të parë PS ka të gjithë përgjegjësinë për cilësinë e kandidaturës. Në pamje të parë kjo duket një sfidë e lehtë, po të kemi parasysh se thuajse çdo kandidaturë e cila do të plotësonte disa kritere elementare, si njohjen e gjuhës, vetëpërmbajtjen në raport me ligjin dhe kushtetutën do të ishte më e mirë se sa Presidenti aktual. Nga ana tjetër ajo çka e bën këtë moment shumë përcaktues për karakterin, për ambicien dhe profilin e PS është se nuk mjafton thjesht të zgjedhim një person që do të ishte më i përshtatshëm për atë vend se sa Ilir Meta, gjë që do ta përmbushnin si kriter 90% e shqiptarëve.

Duhet të zgjedhim një figurë që do luajë për 5 vitet e ardhshme rolin e kreut të shteti, të rezatojë normalitet, të garantojë integritet mes institucionit të Presidentit të Republikës dhe aleatëve tanë strategjikë, partnerëve tanë, që të sigurojë gjithashtu një nivel profesionalizmi në adresimin e gjithë çështjeve që lidhen me Presidentin. Të përçojë një frymë përbashkuese për të gjithë qytetarët, përtej bindjeve politike dhe këtu sfida vështirësohet dhe përzgjedhja është shumë më e ngushte se çdo të ishte në sy të parë përzgjedhja e një pasuesi të presidentit më skandaloz që ka njohur historia e atij institucioni.