Shpopullimi, Pashaj: Shkak keqqeverisja, nëse nuk rriten pagat, njerëzit do të vazhdojnë të ikin
Mosha mesatare në Shqipëri ka kaluar tashmë 38 vjeç duke rendur drejt plakjes së shpejtë. Shkaku kryesor mbetet largimi i të rinjve, që sipas INSTAT çdo vit e më shumë po preferojnë të largohen nga vendi.
Eksperti Erald Pashaj, në një intervistë për Ora News, është shprehur se largimi i popullatës është një lajm i trishtueshëm, ndërsa shton se shpopullimi ndikon negativisht në të gjithë shtresat e shoqërisë.
Ai tha se dy nga faktorët kryesor që njerëzit zgjedhin të largohen, janë vrasja e shpresës dhe papunësia.
Erald Pashaj: Është një lajm i trishtueshëm. Nuk ka lajm më negativ, kur vazhdon për shumë e shumë vite largimi i popullatës. Kemi pasur rreth 400 mijë të larguar në 10 vitet e fundit. Është një lajm i trishtuar për ekonominë. Shpopullimi ndikon negativisht në të gjitha shtresat e popullsisë.
Faktori kryesor që ndikon në largimin të të rinjve, është vrasja e shpresës, pra e ardhmja.
Faktori i dytë është ekonomia, njerëzit largohen sepse duna kushte më të mira, punë të mira. Sipas tij, shkak për largimin e popullsisë është keqqeverisja, duke qenë se njerëzit janë të pakënaqur.
Erald Pashaj: Ata që ikin nuk kanë faj. Një nga faktorët që situatë është e tillë është qeverisja, sepse përsa kohë që kjo qeveri nuk po arrin ta frenojë rrjedhjen e popullatës nuk është e mirë. Njerëzit largohen sepse janë të pakënaqur.
Ndër të tjera ai tha se në Shqipëri ka punë, por pagat janë shumë të ulëta. Ai shton se nëse pagat nuk do rriten, njerëzit do të vazhdojnë të ikin, e si pasojë do të ketë shumë problematika në treg.
Erald Pashaj:Punë në Shqipëri ka, por çështja është sa janë pagat dhe se sa tërheqëse janë këto punë? Sipas studimit, punët më tërheqëse janë Call Center dhe fasoneri. Nëse duhet të mbajmë njerëzit, duhet të rrisim pagat. Nuk është vetëm kjo por ky është hapi i parë dhe më i rëndësishëm. Nëse kjo nuk do ndodhë, njerëzit do të vazhdojnë të ikin. Ne do të rrudhemi aq shumë si treg sa do kemi shumë problematika shumë të mëdha në tregje. Ato vende pune që kemi nuk do plotësohen, lindjet janë më të vogla se vdekjet
