Me kapuç e pistoletë lodër grabiti postën në Kamëz, vihet në pranga 20-vjeçari. Në kërkim bashkëpunëtori

Policia e Tiranës ka identifikuar dhe ka vënë në pranga një nga autorët që dyshohet se vodhi nën kërcënimin e një arme, një shumë parash, në filialin e Postës Shqiptare.

Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, 18 prill në Kamëz.

Bazuar në provat e grumbulluara dhe informacionet e marra në rrugë operative blutë organizuan dhe finalizuan operacionin  “Filiali 2” në kuadër të të cilit u vu në pranga njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi  A. K., 20 vjeç, banues në Kamzë.

Arrestimi i tij u bë për veprën penale "Vjedhja me dhunë" kryer në bashkëpunim.

Në këkrim u shpall bashkëpunëtori tjetër,  shtetasi E. S., 30 vjeç, banues në Kamzë, i dënuar më parë për vjedhje.

"Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas, më datë 18.04.2022, rreth orës 14:20, nën kërcënimin e një arme, kanë marrë një shumë parash në filialin e postës Shqiptare në Kamzë dhe janë larguar", bën me dije policia.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një aparat celular dhe veshje, të cilat autorët dyshohet se i kanë përdorur gjatë kryerjes së krimit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.