Dragoti: Shqipëria e Kosova rrezikohen nga largimi i të rinjve. S’ka investime për kthimin e emigrantëve
Sociologu Edmond Dragoti, teksa ka folur për shpopullimin e Shqipërisë, është shprehur se numri i emigrantëve shqiptarë sa vjen e rritet.
Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Dragoti tha se ata që ikin nga Shqipëria janë të rinjtë, ndërsa shtoi se këto të fundit janë shtresa që krijojnë fuqinë punëtore.
Ndër të tjera ai shtoi se mundësia për një vend si Shqipëria, për të investuar për kthimin e emigrantëve, është shumë e vogël në raport me vendet e tjera.
Edmond Dragoti: Numri i emigrantëve shqiptarë rritet vazhdimisht. Emigrantët janë kryesisht të rinj. të rinjtë janë pjesa riprodhuese e shoqërisë, ajo që krijon mundësinë për një fuqi punëtore të shtuar dhe që i jep vendit zhvillimin e mundshëm, qoftë ekonomik apo politik. Është ajo që ndërton të ardhmen e vendit. Largimi i tyre është një problem për çdo shoqëri. Mundësia për një vend si Shqipëria, për të investuar për kthimin e emigrantëve, është shumë e vogël në raport me mundësinë që kanë vendet e fuqishme si Gjermania. Shqipëria dhe Kosova rrezikohen me largimin e të rinjve.
Ai tha se prania e të rinjve, i jep frymë një vendi, por këto të fundit zgjedhin të largohen. Dragoti shprehet se të rinjtë largohen jo për arsye se nuk ka punë, por vendet e tjera i ofrojnë mundësi më të larta.
Edmond Dragoti: Shqipëria është një nga vendet më të fundit në Europë për nivelin e arsimimit, në krahasim me vendet e tjera të Europës. Ne nuk shquhemi në raport me vendet e tjera europiane, për nivelin e lartë të të rinjve të shkolluar. Por ky nuk është problemi. Problemi është se ata që mbartin perspektivën e një vendi po ikin. Prania e të rinjve I jep frymë një vendi, e shtyn atë të zhvillohet e çon përpara.
Pasiguria, në përgjithësi e ka shoqëruar Shqipërinë gjatë këtyre 30 viteve, ka krijuar një paqëndrueshmëri në dëshirën për të investuar apo për të punuar në vend. Pasiguria vjen nga politika, qeverisja, mungesat ekonomike, papunësia. Por edhe shtresat jo të arsimuara, janë duke u larguar në mënyrë masive, kjo jo se s’ka punë por oferta më vendet e tjera janë më të larta.
