Ankorohet në portin e Durrësit fregata "Aconit" e Marinës Franceze
Një anije e marinës franceze është ankoruar të martën në portin e Durrësit. Ambasadorja franceze dhe Komandanti i Forcave Detare të Shqipërisë thanë se ky është një moment i veçantë për marrëdhënien mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit.
Kjo anije ushtarake e Marinës Francezë është ankoruar në Portin e Durrësit këtë të martë si pjesë e misionit për sigurinë dhe stabilitetit të Rajonit.
Është fregata tip La Fayette Aconit dhe është një mjet luftarak i fshehtë dhe polivalente që ka filluar shërbim në vitin 1999, dhe është pjesë e Forcës së Veprimit Detar.
Anija është vendosur në Mesdheun qendror si pjesë e misioneve të prezencës së rregullt të anijeve luftarake franceze në këtë zonë detare dhe veçanërisht në detin Adriatik.
Amabsadorja e Francës në vendin tonë, Elisabeth Barsacq, tha se ky mision shërben për njohjen dhe shkëmbimin e eksperiencave të forcave detare.
Kundëradmiral Adnand Agastra, komandant i Forcës Detare të Shqipërisë, tha se ky ankorim vjen në një moment të veçantë.
Patrulla Aconit i mundëson Francës të përvetësojë njohuri të pavarura për zonën, të kontribuojë në sigurinë e qasjeve detare në Evropë dhe të afirmojë kujdesin që tregon Franca për sigurimin e lirisë së qarkullimit detar dhe ajror.
