Punimet gjysmake të Bashkisë, qytetarët në Astir rrezikojnë jetën duke kaluar mbi trafik-ndarëset
Mungesa e mbikalimeve për këmbësorët është kthyer në një problem shqetësues në zonën e Astirit. Qytetarët janë shumë të shqetësuar, pasi të detyruar të kalojnë mbi trafik-ndarëset shprehen se rrezikojnë jetën çdo ditë.
Në rrugën “Teodor Keko” në lagjen e Astirit, aty ku mungesa e mbikalimeve ka shkaktuar një problematikë shumë të madhe për këmbësorët.
Për të kaluar rrugën, këmbësorët janë të detyruar të kapërcejnë mbi trafik-ndarëset.
Shqetësimi më i madh i tyre është pikërisht rreziku që paraqet kalimi i rrugës në këtë mënyrë.
"Është 100% e rrezikshme. Duhet mbikalim se s'bën."
"Shumë e rrezikshme, nëse nuk ka vija të bardha që të kalojnë qytetarët ose të vihet një mbikalim."
"Shumë e rrezikshme është kjo. Duhet të kishin bërë një mbikalim."
Edhe pse rruga është e përfunduar në një distancë prej afërisht 1 kilometër, nuk ka asnjë mbikalim.
Teksa shfaqin problemet e tyre të përditshme me kalimin në këto rrugë, ata i bëjnë thirrje Kryeministrit për marrjen e masave sa më parë.
"Nga Dogana dhe këtu kam ardhur në këmbë.Duhet ti vi vërdallë që të dal matanë."
"Stacioni i autobusit është këtu dhe nuk ka asnjë mbikalim. Detyrohemi të kalojmë mbi bordurë për të dalë në kerahun tjetër. Shumë e rrezikshme."
"I bëjmë thirrje të bëjë një mbikalim Edi Rama. Ja ka fut kot."
Shpejtësia e lejuar për automjetet në këtë aks është 80km/orë, ç’ka përbën një risk të shtuar për aksidente, për shkak të gjendjes së rrugës.
Ky problem, nuk ndeshet vetëm në rrugën "Teodor Keko", por në shumë akse rrugore në kryeqytet.


