Të rinjtë vetëm ikin, në 5 vite u larguan mbi 53 mijë persona
Në vetëm gjashtë vite 53 mijë të rinj kanë zgjedhur të largohen nga vendi. Kushtet ekonomike duket se janë shkaku kryesor që i ka detyruar të zgjedhin emigrimin. Tashmë me gropën e krijuar dhe mosha mesatare e popullsisë ka shënuar rritje të menjëhershme.
Mosha mesatare në Shqipëri ka kaluar tashmë 38 vjeç duke rendur drejt plakjes së shpejtë. Shkaku kryesor mbetet largimi i të rinjve, që sipas INSTAT çdo vit e më shumë po preferojnë të largohen nga vendi.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT mosha nga 20 deri në 24 vjeç ka regjistruar një rënie me 15 524 persona për vitin 2021.
Prej vitit 2014 rezulton se i vetmi vit ku Shqipëria ka parë një rritje të numrit të të rinjve që kanë zgjedhur të qëndrojnë në vendin e tyre është viti 2015-2016.
Kjo është periudha më optimiste për vendin tonë pasi kjo grupmoshë është shtuar me rreth 40 mijë persona.
Por pas kësaj statistikat janë dramatike. Duke filluar nga viti 2016 deri në vitin e shkuar janë në total 53.515 të rinj të larguar.
Vetëm në vitin e kufizimeve për shkak të COVID-19 janë larguar 7 600 prej tyre.
Nëse në vitin 2015 mosha mesatare ishte 35 vjeç, sot që flasim ajo ka arritur në 38.2 vjeç.
Largimi masiv i pjesës më vitale të shoqërisë mund të sjellë pasoja të rënda në ekonomi për shkak të humbjes së kapitalit njerëzor.

