Energjia më e shtrenjtë mbi 700 kw/h, qytetarët: Plani i qeverisë i padrejtë, të bëjnë studime të tjera

700 kilovat/orë në muaj energji elektrike konsiderohet një konsum normal për një familje. Është ky qëndrimi i qytetarëve, të cilët nuk janë dakord me planin e qeverisë për shtrenjimin e faturës së konsumatorëve që e kalojnë këtë fashë.

"Rreth 700 kilovat/orë konsiderohet një konsum normal për një familje mesatarisht me 4-5 anëtarë. Mbi këtë fashë, e cila nuk është aprovuar akoma, do të paguhet me çmim më të lartë."

Por deklarata e Ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, nuk është pritur mirë nga qytetarët.

"Nuk është e drejtë, e gjitha është hile e qeverisë."

"Duan të vjedhin, është e pamundur. Unë jam pensionist, harxhoj se kondicioneri, lavatriçja."

Shumë mendojnë se ky plan nuk është i duhuri, pasi edhe pse nuk janë të pasur, janë të detyruar shpesh herë që të harxhojnë mbi fashën prej 700 kilovat/orë.

"Ku e di ai kush është i pasur? I pasuri mund të harxhojë pak se ha në restorant, nuk gatuan, qejfin e bën në lokale. Në shtëpi shkon vetëm të flejë, nuk harxhon. Unë harxhoj shumë dhe marr pak, harxhoj mbi 700 kilovat. Të shohim, Zoti para dhe ne pas."

Për qytetarët duhet një tjetër studim i mirëfilltë për të diferencuar shtresat,  në të varfër dhe të pasur.

Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku, ka thënë se nuk do të ketë një klasifikim të lidhur me nivelin e të ardhurave, por analiza ka treguar se konsumi i nevojshëm mujor i një familje arrin deri në 700 kv/orë. Ndaj kjo duket se do të jetë fasha ndarëse për diferencimin e çmimit, që mbetet për t’u përcaktuar.