PS i ka votat për të zgjedhur Presidentin, Balla: Duam që procesi të jetë sipas Kushtetutës dhe traditës
Partia Socialiste nis nesër pasdite një proces konsultimi me opozitën lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri.
Por pse po harxhohet kaq energji për të diskutuar me Grupet Parlamentare kur PS i ka votat për të zgjedhur Presidentin?
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh se po kërkojnë dialog me grupet parlamentare sipas frymës kushtetuese dhe sipas traditës parlamentare.
Balla: Ka një traditë të konsoliduar parlamentare. Të tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës do ta respektonin traditën parlamentare të konsoliduar. Unë fola për dialog dhe është e vërtetë që PS i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur Presidentin në raundin e 4 ose të 5.
Ne duam që ky proces të jetë në frymë sipas parashikimeve kushtetuese dhe të jetë një standard për të gjitha proceset e zgjedhjes së Presidentit nga sot e këtej. Ajo që na duhet është që të kemi një President i cili përfaqëson unitetin e popullit dhe një kryetar shteti që i ka hije Shqipërisë. Dhe më e rëndësishmja Presidenti të dijë të respektojë të qenurit mbi palët, jo një palë mes palëve sikurse ka qenë Presidenti në largim.