E zbulon Këlliçi: Nuk do të ketë 7600 delegatë në PD por më pak. Procesi zgjedhor përfundon në fundjavë
Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, thotë se procesi zgjedhor në degët e PD po ecën mjaft mirë, ndërsa shton se deri më tani në Berat, aty ku ndodhet aktualisht kanë votuar rreth 400 demokratë, sakaq thekson se procesi mund të shtyhet për shkak se sot është ditë pushimi.
I pyetur se a kanë marrë pjesë edhe ata që mbështesin Lulzim Basha, Këlliçi në një intervistë për Ora Neës, me gazetarin Arnold Kariqi, ai tha se në lista janë të përfshirë të gjithë demokratët duke qenë se qëllimi i këtyre zgjedhjeve është edhe bashkimi i tyre.
Belind Këlliçi: Procesi ka nisur në orët e para të mëngjesit. Ndodhemi në Berat, ku kemi katër 4 kandidatë, persona me kontribute në PD. Ka pasur interes të demokratëve për të votuar. Deri më tani kanë votuar 400 demokratë, dhe besoj se do të kemi demokratë edhe gjatë ditës. Duke qenë se është ditë pushimi mund të kemi rastin kur do kemi demokratë që do të vijnë për të votuar edhe gjatë momenteve të fundit, deri sa çdo demokrat të ketë shprehur vullnetin e tij me votë.
Ky proces është transparent, dhe në thelb të këtij procesi është bashkimi i demokratëve, mund të jua konfirmojë se vetëm para 10 minutash ka ardhur për të votuar kryetari në detyrë i degës së partisë demokratike të Beratit Gazment Hazizi. Ne nuk përjashtojmë askënd, listat janë gjithëpërfshirëse. Në listat e sotme e gjen veten çdo demokrat. Gjithçka është transparente. Deri më tani janë kryer mbi gjysma e proceseve zgjedhore në degët e partisë demokratike. Ditën e djeshme kemi pasur 18 degë që kanë qenë në proces zgjedhor.
Më tej Këlliçi shprehet se deri në fundjavë procesi i zgjedhjeve mund të mbyllet, sakaq theksoi se nuk do ketë më 7600 delegatë por vetëm 1100.
Belind Këlliçi: Ditën e sotme kemi 8 degë që janë në proces dhe deri në fundjavë do të kemi përmbylljen e zgjedhjeve në 71 degët e PD-së në të gjithë Shqipërinë.
Nuk do kemi më 7600 delegatë, por në PD do i kthehemi logjikës dhe racionalitetit. DO kemi nje Kuvend të përbërë prej 1100 delegatësh, e cila do të përfaqësoj të 71 degët dhe grup-seksionet e PD-së në të gjithë Shqipërinë.
