Duam t'i japim Shqipërisë një President që të na nderojë", Spiropali: Të gëzojë respektin e qytetarëve
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali së bashku me kreun e Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla në një konferencë për mediet sqaruan proceduarat që nga propozimi i emrit e deri te zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.
Spiropali tha se qëllimi është që Shqipërisë t'i japin një President normal që të përfaqësojë unitetin e popullit dhe të gëzojë respektin e qytetarëve.
Spiropali: Të garantojmë edhe një standard parlamentar për procesin e zgjedhjes së Presidentit. Jo se më parë ka munguar vullneti apo dëshira, por kushtet kanë qenë të tilla që për shumë kohë procesi i zgjedhjes së Presidentit ka ngjarë me takime nëpër zyra të vogla dhe jo procese të hapura konsultimi me grupe parlamentare, shoqërinë civile e qytetarët.
Spiropali tha se Këshillimi Kombëtar është prioritet në qeverisjen Rama. Ajo shtoi se duhet të kemi një President/e të Republikës që të na nderojë dhe 4 maji është datë e arsyeshme për të pasur raundin e parë të votimit në Kuvend. Ministrja bëri me dije se do të jetë një faqe apo e-mail i hapur për të marrë sugjerimet e qytetarëve.
Spiropali: Konferenca e kryetarëve është më datë 29 dhe para kësaj date ne duhet të kemi kryer konsultimet si me grupin parlamentar sovialiste me gjithë deputetët, ashtu dhe me shoqërinë civile që është e akredituar në Këshillin E integrimit në Kuvend. Më pas të vijojmë me Grupet Parlamentare dhe të kemi të hapur edhe faqen apo e-mailin e përcaktuar për të marrë sugjerime nga publiku.
Taulant Balla vuri theksin te Këshillimi Kombëtar dhe tha se çdo qytetar duhet të ketë të drejtën për të propozuar.
Balla: Kjo është hera e parë që i kërkohen propozime konkrete qytetarëve. Ajo që bëri Rama me Këshillimin Kombëtar është qasja e duhur. Nuk mund t'ia heqim të drejtën qytetarëve që të propozojnë. Ashtu si e ka të drejtën çdo anëtar i grupit të PS pse mos ta ketë dhe çdo qytetar për të propozuar.
