Tiranë, dyshohet se tregtonte celularë kontrabandë, procedohet 35-vjeçari
Policia e Tiranës ka proceduar penalisht një person pasi tregtonte aparate celulare, të dyshuar kontrabandë.
Shtetasit me iniciale D. R., 35 vjeç, i janë gjetur 8 aparate celularë për të cilët nuk dispononte faturë tatimore.
“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht shtetasin D. R., 35 vjeç, për veprat penale "Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë", "Shitja e paautorizuar e kartave SIM", "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve", dhe "Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale". Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 8 aparate celulare të ndryshëm, për të cilat nuk dispononte faturë tatimore, të dyshuar kontrabandë.” – njofton policia.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
