"Ikja e Bashes nuk e zgjidhi konfliktin në PD", Mërtiri: Problemi i Berishës me SHBA mbetet

Ndasitë brenda në PD nuk ndalen. Edhe pse debatet i bëjnë brenda një salle, duket se demokratët janë gjithnjë e më të përçarë. Enkelejd Alibeaj kërkon të ndalohen zgjedhjet për kryetarët e degëve, ndërsa Rithemelimi shprehet se zgjedhjet nuk do të ndalen për asnjë arsye.

Analisti Ergys Mërtiri në një intervistë në RTV Ora me gazetarin Sebastian Zonja u shpreh se situata në të cilën ndodhte PD aktualisht është vazhdimi i luftës, pasi sipas tij beteja nuk ka përfunduar me dorëheqjen e Bashës.

Mërtiri: Nuk erdhi paqja brenda PD-së ashtu siç pretendohej. Basha u akuzua se kishte marrë peng PD dhe gjithë problemi u servir sikur qëndronte te një person, te Basha. Basha tani ka ikur, por problemi nuk është zhdukur. Pra "koka e turkut" nuk e zgjidhi situatën. Kjo nuk po ndodh sepse nuk ka qenë Lulzim Basha problemi i PD-së. Ai ka pasur problemet e veta, pro jo problemi i konfliktit. Berisha nuk e ka konfliktin me Bashën, Berisha e ka konfliktin me amerikanët. Problemi me amerikanët mbetet edhe pas ikjes së Lulzim Bashës. Gjysma e Grupit Parlamentar nuk pranon të kthehet Berisha edhe për shkak të faktit që është "non grata." Ata e kuptojnë shumë mirë që me ardhjen në krye të PD të zotit Berisha, gjithë PD do dalë "non grata" dhe do izolohet nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo do të thotë që ajo nuk vjen dot kurrë në pushtet.

Sipas Mërtirit, vota nuk shuan konfliktin. Në gjykimin e tij, edhe pse flitet për bashkim e pajtim, fakti që theksi dhe gjuha shkon te vota, te gara se kush është më i fortë brenda partisë, nuk mund të ketë zgjidhje nëse palët nuk lëshojnë. Palët janë aty duke sulmuar njëri-tjetrin, tha analisti.

Mërtiri: Që të ketë një zgjidhje pikë së pari duhet të tërhiqen palët nga pretendimet dhe të përpiqen të gjejnë një konsensus  dhe gjuhë të përbashkët.

Sipas tij, PD është e kërcënuar, për faktin se amerikanët kanë vendosur kushte partneriteti nëse mbahet Berisha në mesin e partisë. PD nuk mund ta mundë Ramën, tha Mërtiri, nëse nuk ka partneritet me ndërkombëtarët.