Platforma për bashkimin e PD-së, Alibeaj: S`ka dakordësi që Berisha e Basha të përjashtohen
Grupi parlamentar demokrat ka rrëzuar propozimet e deputetëve Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferraj, që Sali Berisha dhe Lulzim Basha të përjashtohen nga gara për kreun e ri të PD-së. Kryetari i grupit Enkelejd Alibeaj paraqiti dhe platformën e bashkimit të demokratëve duke apeluar për ndalimin e zgjedhjes së krerëve të degëve në rrethe, proces të cilin e cilësoi si të njëanshëm dhe si pengues për zgjidhjen e konfliktit brenda partisë.
Tirane- Kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj paraqiti platformën e bashkimit të Partisë Demokratike nga e cila janë përjashtuar propozimet deputetëve që kërkonin që Sali Berisha dhe Lulzim Basha të mos garojnë për kreun e PD-së.
Sipas Enkelejd Alibeajt këto propozime shtesë nuk gjetën mbështetje dhe janë rrëzuar.
Enkelejd Aliebaj lexoi edhe emrat e 32 deputetëve që kanë mbështetur platformën, ku mes tyre është edhe Lulzim Basha.
Ndërkohë zgjedhjet që po zhvillon Berisha për krerët e degëve të PD, Alibeaj i cilësoi veprime të njëanshme që nuk synojnë bashkimin e demokratëve.
Alibeaj: "Ka shumë deputetë dhe demokratë që janë përjashtuar nga zgjedhjet që Berisha po bën për kryetar të degëve. Ky është një proces i njëanshëm që vetëm bashkimin e PD nuk duan. Kushdo qe nuk përfshin te gjithë demokratet bën përçarje. kushdo bën procese te njëanshme vetëm bashkim nuk bën.”
Anulimi i proceseve të njëanshme është dhe pika e tretë e kësaj platforme që sipas Alibeajt është produkt i vetë deputetëve demokratë dhe jo i ambasadës amerikane.
I pyetur nëse ka pasur deputetë që i kanë kërkuar të tërheqë ankimimin në gjykatë, Alibeaj tha: “Nëse platforma e propozuar prej nesh, që sjell bashkimin e demokratëve, do të pranohet, gjithçka tjetër është pavlerë’.”
Deputeti demokrat iu përgjigj dhe akuzave të Sali Berishës, i cili nuk e njeh atë si kryetar i grupit të PD.
Alibeaj: “Është i tepërt apo jo, është e ditur për këdo se Berisha nuk ka qenë pjesë e grupit parlamentar sipas rregullores së Kuvendit në momentin kur legjislatura ka filluar dhe grupet parlamentare janë konstituuar."
Sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Alibeaj u shpreh se i rëndësishëm është kolegjialiteti dhe si për çdo çështje tjetër do të ketë konsultime.
