Shishtavec-Krushevë, pika e përbashkët kufitare Shqipëri - Kosovë në shërbim 24 orë

Shqipëria dhe Kosova kanë tashmë një pikë tjetër të përbashkët kufitare atë të Shishtavec-Krushevë. Shumë shpejt pritet që banorët e zonave të brezit kufitar të lëvizin lirshëm në të dy shtetet.

Pika kufitare Shishtavec-Krushevë që lidh Shqipërinë me Kosovën tashme do te funksionoj 24 orë. Qeveria e Tiranës dhe ajo e Prishtinës në këtë mënyrë po realizojnë marrëveshjet e firmosura në nëntor te vitit te kaluar te cilat përshijnë edhe lëvizjen e lirë të banorëve të brezit kufitar. Në ceremoninë e hapjes ishin Ministrat e Brendshëm të dy vendeve, Bledi Çuçi e Xhelal Sveçla, bashkë me drejtuesit e policisë.

Bledi Çuçi:Në axhendën tonë të përbashkët të filluar me nënshkrimin e tre marrëveshjeve, ky është një nga hapat e rëndësishëm të jetësimit të këtyre marrëveshjeve. Duhet ta konsiderojmë një vend, jo të huaj, por një vend që përkohësisht kemi disa regjime që na e ndërlikojnë pak lëvizshmërinë, por shumë shpejt ne do t’i heqim dhe jam besimplotë se brezi jonë do ta jetojë dhe do ta shijojë këtë vizion që kemi në mendje dhe në vullnetin e dy qeverive në Shqipëri dhe Kosovë”.

Ministri Çuçi theksoi gjithashtu se hapja e kësaj pike të përbashkët kufitare do të çlirojë potencialet e zhvillimit turistik të zonës.

Bledi Çuçi: “Të dyja anët e kufirit janë zona me potenciale të jashtëzakonshme të zhvillimit të turizmit, që mund të frekuentohen nga turistë të të dy vendeve, por edhe nga turistë të huaj që nuk janë të paktë në këtë zonë”.

Ministri i Brendshëm i Kosovës u shpreh se hapja e kësaj pike të re të përbashkët kufitare është dëshmi e vullnetit të dy qeverive në Tiranë e Prishtinë për t’i tejkaluar të gjitha pengesat dhe për t’i lehtësuar jetën qytetarëve.

Xhelal Sveçla: “Deri sot kjo pikë kufitare ka qenë e kategorisë C. Nga sot kalon në kategorinë B. Kjo do të thotë se nga një punë me orar, tashmë do të kemi një pikë kufitare që do t’i shërbejë qytetarëve 24/7. Duke kaluar në kategorinë B do të kemi një pikë kufitare që do t’u shërbejë edhe shtetasve të vendeve të treta".

Ministrat Çuci dhe Zvecla  nënshkruan edhe një Protokoll për Kryerjen e Veprimtarive të Përbashkëta të Kontrollit Kufitar në Shishtavec-Krushevë.