Nga e diela ndryshon qarkullimi i automjeteve në Unazën e Madhe
Duke filluar nga dita e diel, 17 prill ndryshon qarkullimi i mjeteve në Unazën e Madhe, për shkak të punimeve që po kryhen në ndërtimin e Lotit 3, njofton sot Autoriteti Rrugor Shqiptar
Automjetet që do të vijnë nga Sheshi Shqiponja në drejtim të Pallatit me Shigjeta, pas daljes nga nënkalimi i “Ozone”, do të devijojnë majtas duke përdorur karraxhatën e re të rrugës kryesore të Lot-it 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë Mbikalimit te Pallatit me Shigjeta, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues.
Automjetet që përdorin aksin e rrugës dytësore djathtas, nuk do të kenë ndryshim të lëvizjes.
Automjetet që do të vijnë nga Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta në drejtim të rrugës “Teodor Keko”, do të devijojnë djathtas duke përdorur karraxhatën e re të rrugës dytësore të Lotit 3, duke shmangur kështu aksin kryesor deri pranë nënkalimit të O-Zone, e duke vazhduar më pas sipas orientimit ekzistues në Lotin 2.
Për automjetet që do të kenë destinacion Yzberishtin, Bulevardin “Migjeni”, “Kombinatin” nuk do të ketë ndryshime në qarkullim.